Ministri i Brendshëm i Shqipërisë thotë se 51 policë u lënduan në dhunën në protestën e mërkurës
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, në një postim në Facebook ka thënë se 51 policë janë lënduar në protestën e të mërkurës që përshkallëzoi.
Ai ka thënë se disa prej policëve të lënduar janë në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin shëndetësor.
“Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj. Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi. Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar. Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja. Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, ka shkruar Demo.
29 persona, prej tyre 23 policë po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë
Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se 29 persona po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e lëndimeve të marra në dhunën në protestën e sotme.
Ministria ka bërë të ditur se prej të lënduarve janë 23 policë, pesë protestues e një kalimtar.
Ministria ndërkohë ka bërë të ditur se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka aktualisht persona të lënduar.
Demo: Kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo reagoi pas skenave të dhunës të regjistruara gjatë gjithë ditës së sotme në protestën e nisur para Ministrisë së Arsimit.
Përmes një videomesazhi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Demo akuzoi forca politike dhe individë të tjerë se po përpiqen të shfrytëzojnë protestën e studentëve për qëllimet e tyre, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që kërkesat t’i shprehin përmes dialogut dhe jo dhunës.
Ministri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e policëve, duke theksuar se personat përgjegjës për aktet e dhunshme do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private. Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë. U bënë bashkë për të sfiduar qetësinë dhe durimin tonë. U bënë bashkë me një skenar ogurzi, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e natyrshme të studentëve për progres dhe padurimin e natyrshëm të më të rinjve për shpejtësinë e progresit...Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit, të cilën e kanë projektuar mendje të mbrapshta që s’kanë asnjë lidhje me ju”, ka shkruar Demo.
Ai ku ka bërë thirrje protestuesve të dhunshëm që të tërhiqen “sa nuk është tepër vonë”. Demo ka thënë se orvatjet e dhunshme s’kanë asnjë shansë ta kthejnë Shqipërinë mbrapa.
“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë. Të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit u them sot faleminderit, për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, në kushte tejet të vështira provokimesh të pafundme, si edhe nën një trysni krejt të pandershme mediatike, ku qimja e policisë bëhet tra dhe trau i maskave të dhunshme bëhet e student! Qytetarëve të Tiranës u them ju lutem durim, pavarësisht se flakët në dyert e ministrive që nuk janë parë në këtë qytet as në krizat e mëdha historike, mund të duken si dobësi e shtetit. Jo nuk janë, kush i ka porositur ato flakë i ka bërë llogaritë gabim, duke synuar të na tërheqë në një skenar ogurzi për Shqipërinë, që ne do ta çmontojmë me qetësi dhe durim. Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa, as në duart e liga të atyre që e kanë gatuar dhe as në kohën e zymtë të shëmtisë që na është rishfaqur si fantazëm e të kaluarës”, ka shkruar Demo.
35 të ndaluar e 14 policë të lënduar nga protesta në Tiranë, Policia bën thirrje të ndalet dhuna
Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se 14 punonjës të saj janë lënduar si pasojë e sulmeve gjatë protestës në Tiranë sot, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 35 persona.
Në një njoftim, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga dhuna dhe të ndalojnë sulmet ndaj zyrtarëve policorë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
“Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre”, thuhet në thirrjen e Policisë së Shtetit.
Policia ka theksuar se ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk nënkupton të drejtën për të ushtruar dhunë, për të sulmuar zyrtarët policorë apo për të dëmtuar pronën publike dhe private.
Sipas njoftimit, shërbimet policore po vazhdojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që dyshohen për përfshirje në akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit.
Policia ka paralajmëruar se personat përgjegjës për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin, duke kërkuar që të ndalen menjëherë sulmet dhe të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e punonjësve policorë.
Ndërkohë sipas autoriteteve shëndetësore, dy protestues po trajtohen në spital.
Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Klodiana Spahiu, ka bërë të ditur se vetëm gjatë 30 minutave të fundit janë dërguar në Spitalin Universitar të Traumës gjashtë policë të lënduar. Ajo ka thënë se një prej tyre ka lëndime serioze në sy dhe fraktura në nofull e hundë. Ajo ka thënë se dhuna ndaj policëve është e patolerueshme.
“Jam në Spitalin Universitar të Traumës, ku për 30 minuta kanë mbërritur 6 efektivë policie të lënduar, duke çuar në 9 numrin e tyre në urgjencë. Një prej tyre, L.D 31 vjeç ka dëmtime serioze në sy dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë. Dhuna ndaj efektivëve të policisë është e patolerueshme dhe rrezikon seriozisht sigurinë dhe shëndetin e tyre. Mbështetje dhe mirënjohje për mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin shëndetësor, që po kujdesen me profesionalizëm dhe përkushtim për çdo person të lënduar”, ka shkruar Spahiu në Facebook.
Protestuesit sulmojnë Komisariatin e Policisë
Protestuesit në Tiranë po vazhdojnë të përparojnë. Protestuesit kanë thyer edhe xhamat e Komisariatit Numër 2 të Policisë së Shqipërisë. Kanë hedhur edhe molotov.
Ka pasur edhe përplasje mes protestuesve dhe policëve te Komisariati. Ka pasur edhe arrestime
Gjatë protestës i është vënë zjarr dhe janë demoluar disa institucione shtetërore, por po ashtu edhe biznese private. Iu vu zjarr edhe një objekti në ndërtim. Zjarri i ishte vënë Ministrisë së Drejtësisë, të Arsimit, Kuvendit. E po ashtu edhe disa institucioneve tjera.
Dy protestues e tre policë po trajtohen në spital pas lëndimeve në protestën e sotme
Dy protestues dhe tre policë po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës, pasi kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë, e cila ka zgjatur më shumë se 10 orë.
Sipas përditësimit të orës 20:05 nga Spitali Universitar i Traumës (SUT), dy protestuesit ndodhen ende në spital, janë të vetëdijshëm dhe kanë gjendje shëndetësore stabile, ashtu si edhe policët.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), sipas të dhënave të fundit, nuk ka persona të lënduar që po marrin trajtim.
Sulmi ndaj Kuvendit, reagon kryekuvendari i Shqipërisë
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar pasi protestuesit kanë hyrë në objektin e Kuvendit dhe i kanë vënë zjarrin.
Peleshi në postim në Facebook ka thënë se “vandalizmi s’ka lidhje me studentët dhe protestën demokratike”.
Peleshi u ka bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrja për dhunë.
“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme. Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë. U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Agjenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, ka shkruar Peleshi.
Tirana në kaos
Protesta e studentëve në Shqipëri ka tensionuar, ku protestuesit kanë depërtuar deri në objektin e Kryesisë së Kuvendit. Kanë hyrë brenda objektit dhe kanë vënë zjarri në katin përdhese ndërsa kanë marrë edhe disa dokumente e i kanë hedhur jashtë, shkruajnë mediumet në Shqipëri. Paraprakisht protestuesit kishin hyrë në objektin e Ministrisë së Arsimit, e po ashtu sulmuan edhe objektin e Ministrisë së Financave dhe atë të Brendshme, si dhe Piramdën. Përplasjet mes protestuesve e policisë po vazhdojnë. Policia po tenton ta shpërndajë turmën duke përdorur vazhdimisht lotsjellës dhe ujë.
Protestuesit po hedhin gurë, molotovë e po ashtu fishekzjarrë.
Është raportuar për të arrestuar dhe të lënduar. Nga Spitali i Traumës është njoftuar se po trajtohen tre protestues e katër policë, dhe se gjendja e tyre është stabile.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka bërë thirrje për përmbajtje.
Është dita e dytë e protestës së studentëve në Shqipëri. Në ditën e parë pati përplasje, ku u lënduan 27 persona përfshirë protestues, policë, gazetarë e diplomatë të huaj.
Situatë e tensionuar në Tiranë, protestuesit depërtojnë në objektin e Kryesisë së Kuvendit
Protestuesit në Tiranë kanë depërtuar në objektin e Kryesisë së Kuvendit, ku kanë marrë dokumente e kanë hedhur jashtë dhe i kanë vënë zjarrin mjediseve të Kryesisë së Kuvendit.
Policia po hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ndërsa po vazhdojnë edhe përplasjet para objektit të Kryeministrisë.

Protestuesit mblidhen para Kryeministrisë, hedhin gurë e molotovë
Protesta e studentëve në Tiranë është përshkallëzuar në përplasje të forta pranë Kryeministrisë.
Protestuesit kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të objektit, ndërsa dëgjohen thirrjet “Digje, digje!”, raporton “A2 News CNN”. Punonjës të Gardës së Republikës kanë hedhur gaz lotsjellës nga tarraca e Kryeministrisë drejt protestuesve.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë në disa fronte, ndërsa forcat speciale dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” janë pozicionuar pranë institucioneve.
Më herët, protestuesit dëmtuan godinat e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa janë raportuar edhe vatra zjarri në disa pika të bulevardit. Po ashtu protestuesit kanë dëmtuar edhe objektin e Ministrisë së Arsimit. Është dita e dytë e protestave të studentëve. Të hënën protestat përshkallëzuan e pati të lënduar dhe arrestime.
Dhuna në protestat në Shqipëri, Begaj u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se po ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve në protestat në Shqipëri dhe u ka bërë thirrje palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.
Begaj në postim në Facebook ka thënë se e drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë, por shtoi se dhuna s’mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë.
Ai po ashtu ka thënë se edhe përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.
Ai ka thënë se është i gatshëm t’i dëgjojë të gjitha shqetësimet dhe se zyra e tij është e hapur për [do qytetar.
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje. E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit. Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim. Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, ka shkruar Begaj.
Vazhdojnë tensionet në Shqipëri, protestuesit nisen drejt Kryeministrisë
Protesta në Shqipëri ka vazhduar me tensione, pasi protestuesit janë futur në ambientet e Ministrisë së Financave. Ndërkohë, përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë po vazhdojnë. Ata më pas janë nisur drejt objektit të Kryeministrisë.
Sipas përditësimit të orës 16:30 nga strukturat shëndetësore, tre protestues dhe dy policë po merrnin trajtim mjekësor në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës. Të gjithë ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkaq, tre protestues të tjerë kishin marrë trajtimin e nevojshëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe më pas ishin larguar nga spitali.
Ministrisë së Arsimit në Shqipëri i del tymi nga brenda, Policia përpiqet të shpërndajë protestuesit
Tensione të vazhdueshme raportohen nga protesta para Ministrisë së Arsimit, në ditën e saj të dytë. Nga ambientet e brendshme të ministrisë është parë të dalë tym i zi, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të godinës.
Nga ana tjetër, Policia ka krijuar disa kordone sigurie dhe ka përdorur vazhdimisht ujë me presion në drejtim të turmës, me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Deri më tani, janë kryer disa shoqërime, ndërsa katër persona dhe një efektiv policie kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT dhe në Spitalin e Traumës, pasi kanë pësuar lëndime.
Protesta para Ministrisë së Arsimit vijon në situatë e tensionuar.
Ministria e Shëndetësisë ka informuar mbi gjendjen shëndetësore të personave të paraqitur në strukturat spitalore pas protestës. Në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) është paraqitur një protestues, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Ai paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu, në këtë strukturë spitalore është paraqitur një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, është larguar me këshillën e mjekut.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me dëmtime të lehta. Dy prej tyre janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, ndërsa personi i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën./ TCH