Pakënaqësia qytetare meriton të dëgjohet. Të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë llogari, të kundërshtojnë qeverinë dhe të mbushin sheshet. Por një protestë që kërkon mbështetjen e shoqërisë duhet të kujdeset edhe për mënyrën se si e shpreh zemërimin e saj.
Djegia e institucioneve, zjarri te pronat private, shkatërrimi i pronës publike dhe dëmtimi i mjediseve të përbashkëta nuk i shtojnë forcë kauzës. Ato e zhvendosin vëmendjen nga kërkesat e protestuesve te pasojat e dhunës. Në vend që pushteti të përgjigjet për problemet e ngritura, gjen rastin të flasë vetëm për rendin dhe sigurinë. Kështu, vetë protestës i humbet zëri.
Prona publike është ndërtuar me paratë e qytetarëve. Çdo dëmtim paguhet përsëri prej tyre. Një institucion i djegur nuk e bën qeverinë më të përgjegjshme dhe as jetën e njerëzve më të mirë.
Protestuesit mund ta mbushin Bulevardin e Tiranës, të qëndrojnë aty me këmbëngulje dhe të kërkojnë publikisht përgjigje. Një pjesëmarrje e madhe, paqësore dhe e qëndrueshme krijon presion politik që pushteti e ka të vështirë ta shpërfillë. Qëndresa kërkon organizim, durim dhe besim te kauza. Pikërisht këtu matet forca e një proteste. Një video e studentes 22 vjeçare nga Prrenjasi, Samanda Toska, u bë virale dhe mori mbështetje nga qindra mijëra. Ajo foli me shpirt e zemërim, nuk dogji, nuk hodhi gurë, por zëri i saj ishte si “bombë atomike” mbi qeverinë Rama.
Veçanërisht e papranueshme është përfshirja e fëmijëve në situata përplasjesh. Nxënësit kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por askush nuk ka të drejtë t’i përdorë apo t’i ekspozojë ndaj rrezikut. Përgjegjësia e të rriturve është t’i mbrojnë. Çdo organizator duhet ta ketë të qartë këtë kufi. Kur shikon nxënës që yshten nga të rritur, për djegie e thyerje pronash private dhe që gëzonin si fëmijë, ishte pamje aspak normale. Ata kanë të drejtë dalin, të bërtasin por nuk duhen kurrsesi të edukohen me djegie e zjarr sepse nesër do jenë studentë dhe pasnesër politikanë që brenda tyre do të ziejë vetëm pasioni për zjarr.
Studentët madhorë vendosin vetë për angazhimin e tyre. Kanë të drejtë të protestojnë për arsimin, punësimin, kostot e jetesës dhe të ardhmen në vendin e tyre. Zëri i tyre merr më shumë peshë kur kërkesat janë të qarta dhe veprimet bindin edhe qytetarët që ende nuk u janë bashkuar.
Edhe policia ka detyrimin të veprojë me përmbajtje, të mbrojë protestuesit paqësorë dhe të mbajë përgjegjës individualisht këdo që kryen dhunë. Veprimet e disa personave nuk mund të përdoren për të shpallur fajtore një protestë të tërë.
Tirana ka nevojë ta dëgjojë zërin e të rinjve. Por që ky zë të kthehet në forcë ndryshimi, duhet të fitojë besimin e qytetarëve. Dhe besimi fitohet me kauzë, guxim e qëndresë paqësore. Flaka mund të pushtojë ekranet për një mbrëmje; mbështetja publike kërkon shumë më tepër
