Lëvizja studentore e Serbisë rrëzoi një gjigant politik. A mund ta qeverisë tani vendin?
Duke larguar nga pushteti udhëheqësin shumëvjeçar Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet e së dielës, lëvizja protestuese studentore e Serbisë arriti atë që demonstruesit në kryeqytete të tjera europiane vetëm mund ta ëndërrojnë. Por tani vjen pjesa e vështirë e qeverisjes, diçka për të cilën as studentët dhe as kandidatët e përzgjedhur prej tyre nuk kanë përvojë.
Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e vendit për të festuar, pasi Vuçiç pranoi humbjen të dielën vonë, në një proces zgjedhor historik që kurorëzoi dy vjet protesta paqësore kundër qeverisë.
Por, ndërsa turma entuziaste ndizte fishekzjarrë, këndonte dhe kërcente, mbeteshin ende shumë pikëpyetje: kush do të dalë nga kjo lëvizje pa një udhëheqës të përcaktuar për t’u bërë kryeministër, cilat do të jenë konkretisht politikat e saj dhe a mundet një grup figurash të panjohura politikisht, pa përkatësi të mëparshme partiake, të qëndrojë i bashkuar për të stabilizuar ekonominë, luftuar korrupsionin dhe menaxhuar marrëdhëniet komplekse ndërkombëtare?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të përcaktojnë stabilitetin politik të Serbisë, ekonomisë më të madhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe marrëdhëniet e saj me Kinën, Rusinë dhe partnerin më të madh tregtar, Bashkimin Europian.
“Fitorja e studentëve ka të ngjarë të sjellë ndryshime të gjera institucionale dhe politike, të përqendruara te lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe përmirësimi i shërbimeve publike. Megjithatë, rezistenca burokratike ndaj reformave dhe përvoja e kufizuar e lëvizjes në qeverisje mund ta bëjnë tranzicionin të vështirë”, vlerësoi Teneo Global Research në një raport të publikuar të hënën.
Fitues, por a mund të qëndrojnë të bashkuar?
Megjithëse pa një figurë të vetme drejtuese, studentët fituan mbështetje të gjerë publike, përpara se të përzgjidhnin 250 akademikë, juristë, mjekë, aktorë, fermerë dhe muzikantë për t’i përfaqësuar në zgjedhje.
Lëvizja dhe disa prej kandidatëve kryesorë të listës kanë dhënë një ide të orientimit të tyre politik, duke premtuar një program të brendshëm kundër korrupsionit, të mbështetur në reforma të thella institucionale.
Lëvizja nuk e njeh Kosovën, ish-provincën jugore të Serbisë që shpalli pavarësinë në vitin 2008, por dëshiron të organizojë një referendum për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian, marrëdhëniet me të cilin janë përkeqësuar vitet e fundit.
Ndër figurat më të njohura janë drejtuesi i listës së kandidatëve studentorë, kardiologu Ilija Srdanovic, ish-guvernatori i Bankës Qendrore Dejan Soskic dhe Radomir Sajcic, profesor në Universitetin e Beogradit, i cili foli në emër të studentëve pas fitores së tyre.
Megjithatë, nuk ka asnjë siguri se ndonjëri prej tyre do të marrë një post ministror. Mbetet gjithashtu për t’u parë nëse kandidatët do të jenë në gjendje të formojnë një qeveri kohezive, që mund të bjerë dakord për politikat dhe të qëndrojë e bashkuar mjaftueshëm për të shfrytëzuar shumicën e rehatshme parlamentare në realizimin e ndryshimeve.
“Lëvizja studentore krijoi një ndryshim kaq të madh në kulturën politike të Serbisë; tani mbetet të shohim nëse ai do të zgjasë”, tha Katarina Popovic, gjithashtu profesore në Universitetin e Beogradit.
“Ne vetëm shpresojmë që të ekzistojnë objektiva madhorë që mund t’i mbajnë të bashkuar për një kohë të mjaftueshme, në mënyrë që të çmontojnë sistemin.”
Reformimi i institucioneve publike
Sipas Kushtetutës së Serbisë, kandidatët e studentëve kanë 90 ditë kohë për të formuar qeverinë, pasi parlamenti të konstituohet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga komisioni shtetëror i zgjedhjeve.
Koha është vendimtare, veçanërisht për shkak të nevojës për miratimin e buxhetit përpara fundit të vitit, në një periudhë kur nivelet e borxhit publik dhe privat janë në rritje.
Ndërkohë, çdo përpjekje serioze për t’i dhënë fund korrupsionit do të kërkojë ristrukturimin e policisë dhe shërbimeve të inteligjencës, si dhe reformimin e sistemit gjyqësor.
Institucionet shtetërore kanë nevojë për një “detoksifikim”, pas 14 vjetësh nën drejtimin e Vuçiçit, tha Bozo Prelevic, jurist me bazë në Beograd dhe ish-bashkëministër i Brendshëm.
Prelevic paralajmëroi se Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiçit do të përbëjë një opozitë të fortë dhe se qeverisë së re do t’i duhet të luftojë për të mbrojtur pozicionet e saj.
Vuçiç dhe SNS i kanë mohuar vazhdimisht akuzat për represion dhe korrupsion.
Marrëdhëniet ndërkombëtare
Në Rusi, aleaten tradicionale të Serbisë dhe furnizuesen kryesore të saj me gaz natyror, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vlerësoi Vuçiçin, por nuk shkoi deri aty sa të uronte studentët për fitoren.
“Ne e respektojmë Rusinë si një fuqi të madhe dhe si partnerin tonë historikisht të rëndësishëm dhe, në shumë raste, mbrojtësin tonë”, tha për televizionin rus RT Balkan, Jovo Bakic, sociolog dhe pedagog universitar, përfaqësues i Listës Studentore.
Ai shtoi se nuk do të ketë ndryshime në politikën e jashtme të Serbisë ndaj Rusisë, përfshirë edhe qëndrimin për të mos vendosur sanksione kundër Moskës.
Zhvillimet po ndiqen me vëmendje edhe nga Ukraina, e cila ka qenë përfituese indirekte e armëve serbe në përpjekjet për të zmbrapsur pushtimin rus, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.
Zyrtarët europianë i uruan studentët për fitoren dhe deklaruan se janë të gatshëm ta ndihmojnë vendin në luftën kundër korrupsionit.
“Jam i sigurt se Lista Studentore do të gjejë një mënyrë, ashtu siç ka bërë deri tani, për të zgjedhur dikë të aftë për të qeverisur – dikë që do të ketë privilegjin, por edhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme, për ta udhëhequr Serbinë përmes këtyre reformave”, tha Savo Manojlovic, përfaqësues i lëvizjes Ndrysho-Lëviz, e cila mbështet studentët. / Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









