Erl Murati
Thuhet shpesh se plotësimi i kushteve gjatë procesit të integrimit europian, nuk është detyrë apo objektiv vetëm i qeverisë, madje as vetëm i parlamentit dhe i institucioneve të shtetit. Në një mënyrë apo një tjetër, në proces përfshihet e gjithë shoqëria.
Kjo nuk do të thotë se një fermer në Lushnjë duhet t’i dijë përmendësh kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian. Fermerit i intereson nëse prodhimet e tij do të mund të shiten në tregje të reja, çfarë standardesh duhet të plotësojë dhe nëse do të ketë mbështetje për të përballuar kostot e përshtatjes. Një familjeje në Tiranë i intereson nëse ushqimet që blen janë të sigurta, nëse shërbimet publike do të përmirësohen dhe nëse fëmijët e saj do të kenë më shumë mundësi në të ardhmen.
Të dyja këto çështje lidhen drejtpërdrejt me integrimin europian. Megjithatë, në lajmet e përditshme, Europa shpesh shfaqet si një botë deklaratash politike, takimesh në Bruksel dhe kapitujsh që hapen apo mbyllen. Në edicionet informative në TV, në portale dhe gazeta, titujt flasin për një tjetër hap përpara. Pastaj vëmendja kalon te lajmi i radhës, ndërsa qytetari mbetet me pyetjen që ka vërtet rëndësi: çfarë ndryshon kjo për mua?
Pikërisht këtu qëndron sfida e gazetarisë për integrimin europian. Nuk mjafton të njoftosh se Shqipëria ka përparuar në negociata por duhet shpjeguar çfarë është arritur, çfarë mbetet për t’u bërë dhe si lidhen këto zhvillime me jetën e njerëzve. Përndryshe, integrimi rrezikon të mbetet një proces i kuptueshëm për politikanët dhe specialistët, por i largët për pjesën tjetër të shoqërisë.
Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky është një zhvillim i rëndësishëm, por hapja e negociatave nuk do të thotë se janë përmbushur automatikisht standardet europiane. Përkundrazi, kërkohet punë për përafrimin e legjislacionit, forcimin e institucioneve dhe zbatimin e rregullave në praktikë.
Dallimi mes miratimit të një ligji dhe zbatimit të tij është thelbësor. Mund të miratohen rregulla për mbrojtjen e mjedisit, por nëse mbetjet vazhdojnë të menaxhohen keq, qytetari nuk e ndien ndryshimin. Mund të përafrohen standardet e sigurisë ushqimore, por nëse kontrollet nuk funksionojnë, konsumatori nuk është më i mbrojtur vetëm sepse ekziston një dokument. E njëjta gjë vlen për drejtësinë, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit.
Këtë ide e ka vënë në dukje edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa. Në një deklaratë të 2 shtatorit 2026, ajo theksoi se anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me kapitujt dhe grupkapitujt, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Kjo do të thotë se negociatat nuk janë qëllim në vetvete, por ato duhet të sjellin ndryshime të prekshme. Por që publiku të kuptojë nëse kjo po ndodh, informacioni duhet të dalë nga gjuha teknike e dokumenteve dhe të lidhet me përvojën e përditshme të njerëzve.
Marrim bujqësinë, një sektor ku përafrimi me standardet europiane mund të krijojë mundësi të reja, por edhe vështirësi. Për një fermer të vogël, kërkesat për gjurmueshmërinë e produkteve, përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, kushtet e magazinimit dhe kontrollet fitosanitare mund të nënkuptojnë investime që nuk janë gjithmonë të lehta për t’u përballuar. Nga ana tjetër, përmbushja e këtyre standardeve mund të rrisë besimin te produktet dhe të krijojë mundësi për të hyrë në tregje më të mëdha.
Komisioni Europian ka kërkuar përparim të mëtejshëm nga Shqipëria në fushën e sigurisë ushqimore dhe në forcimin e kapaciteteve për zbatimin e rregullave përkatëse.
Kjo është një temë që meriton më shumë sesa një lajm të shkurtër. Mund të shkohet në fermat e Lushnjës, të flitet me prodhuesit apo të bëhen konsultime me ekspertë dhe institucionet përgjegjëse. Pra, duhet shpjeguar cilat janë kërkesat, kostot dhe mundësitë e mbështetjes.
Një raportim i tillë do t’i përgjigjej pyetjes që publiku ka realisht. Në vend të një formulimi të përgjithshëm si “Shqipëria përafron standardet europiane”, lexuesi do të kuptonte se çfarë duhet të ndryshojë në prodhim, kush duhet ta ndihmojë fermerin dhe çfarë përfiton konsumatori.
E njëjta qasje mund të përdoret për arsimin, energjinë, mjedisin, biznesin dhe shërbimet publike. Integrimi bëhet më i kuptueshëm kur tregohet përmes pasojave konkrete, jo vetëm përmes deklaratave zyrtare.
Sa më i ndërlikuar të jetë një proces, aq më shumë hapësirë krijohet për keqkuptime. Nëse qytetari nuk e di se çfarë parashikon një rregull europian, është më e lehtë të bindet nga një pretendim i thjeshtë, edhe kur ai nuk mbështetet në fakte.
Përfytyrojmë një postim në rrjetet sociale që pretendon se një rregull i ri europian do t’i detyrojë të gjithë fermerët të bëjnë investime të kushtueshme brenda një afati të shkurtër. Postimi mund të shpërndahet dhe bashkë me të, është shqetësimi. Por, askush nuk e ka publikuar dokumentin përkatës, nuk është shpjeguar se kujt i zbatohet rregulli dhe as nëse parashikohen afate kalimtare apo forma mbështetjeje.
Ky është një shembull se si një informacion i paplotë mund të shndërrohet në bindje të gabuar. Dezinformimi nuk përbëhet gjithmonë nga gënjeshtra të sajuara nga fillimi deri në fund. Shpesh nis nga një fakt i vërtetë, të cilit i hiqet konteksti, i ekzagjerohen pasojat ose i shtohet një përfundim që nuk mbështetet nga dokumentet.
Në epokën e rrjeteve sociale, një titull alarmues mund të arrijë mijëra njerëz përpara se dikush të kontrollojë burimin. Një video e shkëputur mund të krijojë një përshtypje të gabuar, ndërsa një lajm i vjetër mund të shpërndahet sikur të jetë zhvillim i ditës. Në këto kushte, shpejtësia e publikimit shpesh konkurron me nevojën për verifikim.
Në prill 2026, ambasadori i atëhershëm i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, paralajmëroi se dezinformimi ndikon në debatin publik, polarizon opinionet dhe minon demokracinë. Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e verifikimit të fakteve.
Për median, përgjigjja nuk mund të jetë thjesht të denoncojë lajmin e rremë pasi ai është përhapur. Ajo duhet të kontrollojë dokumentet origjinale, të konsultojë burime të besueshme dhe të shpjegojë qartë çfarë është e vërtetë, çfarë është e pasaktë dhe çfarë nuk mund të vërtetohet. Po aq e rëndësishme është të bëhet dallimi mes gabimit të paqëllimshëm dhe përhapjes së qëllimshme të informacionit të rremë.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për integrimin europian, sepse informacioni i pasaktë mund të ushqejë pritshmëri jorealiste ose frikë të panevojshme. Në të dyja rastet, qytetari humbet mundësinë për të krijuar një gjykim mbi bazën e fakteve.
Në debatin publik shqiptar, Bashkimi Europian herë paraqitet si zgjidhja automatike e problemeve të vendit dhe herë si burim rregullash e kostosh që vështirësojnë jetën e qytetarëve dhe të bizneseve. Asnjëra prej këtyre qasjeve nuk e shpjegon të gjithë realitetin.
Anëtarësimi krijon mundësi për tregti, investime, arsim dhe bashkëpunim, por këto mundësi nuk shndërrohen vetvetiu në rezultate. Bizneset duhet të jenë në gjendje të konkurrojnë, institucionet duhet të përgatisin projekte cilësore dhe fondet duhet të përdoren me transparencë. Po kështu, përafrimi me standardet europiane mund të sjellë kosto fillestare për disa sektorë, të cilat duhen identifikuar dhe trajtuar përmes politikave të përshtatshme.
Prandaj, gazetaria nuk duhet ta kthejë integrimin në reklamë politike, por as të përhapë frikë të pambështetur. Ajo duhet të shpjegojë si përfitimet, ashtu edhe vështirësitë, duke dalluar mundësitë reale nga premtimet dhe detyrimet konkrete nga interpretimet e ekzagjeruara.
Kjo kërkon edhe një qëndrim kritik ndaj institucioneve. Nëse qeveria “Rama” pohon se ka përfunduar një reformë, gazetaria duhet të pyesë se çfarë ka ndryshuar në praktikë. Nëse njoftohet një investim me mbështetje europiane, duhet të bëhet e qartë se sa është financimi, cilat janë kriteret dhe si kontrollohet përdorimi i parave. Nëse miratohet një ligj, duhet të shihet nëse ai zbatohet dhe nëse qytetarët përfitojnë prej tij.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe administrata publike. Përparimi real matet me funksionimin e institucioneve dhe mundësinë që qytetarët të kërkojnë llogari.
Ambasadorja Sofia Moreira de Sousa ka theksuar rëndësinë e transparencës, konsultimit publik dhe mbikëqyrjes parlamentare gjatë procesit të miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin. Këto elemente janë të rëndësishme sepse reformat nuk duhet të vlerësohen vetëm nga shpejtësia me të cilën miratohen, por edhe nga cilësia dhe mënyra se si zbatohen.
Një nga vështirësitë e gazetarisë së sotme është presioni për të publikuar shpejt. Titujt e fortë dhe reagimet e menjëhershme shpesh marrin më shumë vëmendje sesa shkrimet që kërkojnë kërkim dhe verifikim.
Ndaj, është gjithnjë e më e vështirë të bësh gazetari të thelluar, cilësore dhe shpjeguese.
Por, integrimi europian nuk mund të kuptohet vetëm përmes deklaratave të ditës, ndaj nevojiten artikuj që ndjekin në vazhdimësi ecurinë e negociatave, krahasojnë premtimet me rezultatet dhe shpjegojnë çfarë ndryshon për qytetarët. Një material për arsimin duhet të dëgjojë studentët dhe mësuesit, një shkrim për bujqësinë duhet të shkojë te fermerët, ndërsa një analizë për administratën duhet të shohë si funksionojnë realisht shërbimet publike.
Bashkëpunimi mes mediave, universiteteve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve mund të ndihmojë në shpjegimin e çështjeve teknike. Bashkëpunim duhet të ruajë pavarësinë editoriale të gazetarëve, në mënyrë që informacioni të mos shndërrohet në komunikim të njëanshëm.
Në fund, qytetari nuk ka nevojë të bëhet ekspert i politikave europiane. Ai ka nevojë të ketë informacion të saktë, të kuptueshëm dhe të verifikueshëm për vendimet që ndikojnë në jetën e tij. Ka nevojë të dijë se çfarë po negociohet në emrin e tij, çfarë detyrimesh merr përsipër vendi dhe si mund të kërkojë llogari për zbatimin e tyre.
Shqipëria mund të hapë kapituj, të miratojë ligje dhe të shpallë afate ambicioze. Por suksesi i integrimit nuk do të matet vetëm me atë që shkruhet në dokumentet zyrtare, por ndryshimet që qytetarët do të shohin në jetën e përditshme.
Dhe këtu media ka një rol që nuk mund ta kryejë askush tjetër. Ta nxjerrë Europën nga tryezat e negociatave dhe ta sjellë në jetën reale, aty ku njerëzit mund të kuptojnë çfarë po ndodh, të dallojnë faktin nga pretendimi dhe të kërkojnë që premtimet të kthehen në rezultate.
Sepse integrimi europian nuk bëhet vetëm duke folur për Europën. Integrim europian është edhe t’i japësh publikut mundësinë të kuptojë se çfarë do të thotë Europa për të.
* Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi Europian” të Institutit Shqiptar të Medias.





