Wednesday / November 4 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

BQE lë të pandryshuara normat e interesit, paralajmëron rritje të inflacionit nga energjia

Share Share Icon

Banka Qendrore Europiane (BQE) vendosi të mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit në mbledhjen e 29 tetorit, ndërsa paralajmëroi se rritja e çmimeve të energjisë po shton rreziqet për inflacion më të lartë dhe ngadalësim të rritjes ekonomike në Eurozonë. Këshilli Drejtues i BQE-së vendosi të mbajë normën e interesit për depozitat në 2.50%, normën kryesore të rifinancimit në 2.65% dhe normën e huadhënies marxhinale në 2.90%.

Në njoftimin zyrtar, BQE thekson se rritja e vazhdueshme e çmimeve të energjisë po ushtron presion mbi perspektivën ekonomike, duke krijuar njëkohësisht rreziqe për stabilitetin e çmimeve dhe aktivitetin ekonomik.

“Çmimet e energjisë kanë vijuar të rriten, duke paraqitur rreziqe për rritjen e inflacionit dhe për dobësimin e perspektivës së rritjes ekonomike”, thuhet në deklaratën e BQE-së.

Sipas bankës qendrore, ndikimi i plotë i goditjes nga çmimet e energjisë ende nuk është materializuar. Megjithatë, deri tani inflacioni bazë ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm, ndërsa pagat nuk kanë shfaqur reagim të ndjeshëm ndaj zhvillimeve të fundit.

BQE paralajmëron se përmasat dhe kohëzgjatja e goditjes energjetike, së bashku me efektet e saj të tërthorta dhe ato që mund të shfaqen në një fazë të mëvonshme, pritet të ndikojnë në rritjen e inflacionit dhe dobësimin e aktivitetit ekonomik.

Një tjetër faktor i evidentuar në deklaratë është shtrëngimi i kushteve të financimit që nga mbledhja e mëparshme e Këshillit Drejtues.

“Kushtet e financimit janë shtrënguar që nga mbledhja e fundit e Këshillit Drejtues, çka pritet të rëndojë mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike”, thekson institucioni.

BQE rithekson angazhimin për të garantuar stabilizimin e inflacionit në objektivin prej 2% në afatin e mesëm. Vendimet e ardhshme për normat e interesit do të mbështeten në të dhënat ekonomike dhe financiare, perspektivën e inflacionit dhe rreziqet që e shoqërojnë atë. Institucioni thekson se do të vijojë të marrë vendime në çdo mbledhje, pa u angazhuar paraprakisht për një trajektore të caktuar të normave të interesit. Ndërkohë, portofolet e programeve të blerjes së aktiveve (APP) dhe të blerjeve emergjente gjatë pandemisë (PEPP) po zvogëlohen gradualisht, pasi Eurosistemi nuk riinveston më shumat e arkëtuara nga titujt që arrijnë maturimin.

BQE nënvizon se mbetet e gatshme të përshtatë instrumentet e politikës monetare, nëse kjo është e nevojshme për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe funksionimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Fitorja e demokratëve në SHBA vë në lëvizje tregjet, dollari dhe bursat në rënie

Tregjet globale të aksioneve ranë dhe dollari amerikan zbriti në nivelin më të ulët të një muaji të mërkurën, më 4 nëntor, pasi demokratët fituan k...

6 hours më parë 3 Min Lexim
Bota /

Zgjedhjet e mes-mandatit në SHBA: Çfarë do të thotë humbja e Trump për Europën dhe tregjet globale

Demokratët kanë fituar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan. Për Europën, çështjet kryesore mbeten tarifat tregtare dhe Ukraina, fush...

7 hours më parë 8 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!