“S’duam suspendime, duam burgosje”: Çfarë ndodhi në ditën e dytë të protestës për Arlinda Zekajn?

E plotësuar: Në ditën e dytë të protestës ku po kërkohet drejtësi për gruan që u vra para pak ditësh në Pejë, Arlinda Zekajt, protestuesit kanë mbërritur para objektit të qeverisë.
Njëra prej organizatoreve të protestave, Anitë Nikaj, i listojë disa kërkesa në drejtim të qeverisë, ku u kërkuar shkarkimi, ndjekja penale dhe burgosja për kryeprokuroren e Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetajn, për prokuroren e rastit, Suada Ramza-Hamzajt, gjykatësin Migjen Kastrati, zyrtarin e gjykatës Shemsedin Haxhijaj, dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, ajo e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës dhe dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Kërkojmë shkarkimin, ndjekje penale dhe burgosje të kryeprokurores Lumturije Vuçetajt. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e prokurores së rastit, Suada Rama-Hamzajt. Kërkojmë burgosjen, shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarit të gjykatës Shemsedin Haxhijajt. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e gjykatësit Migjen Kastrati. Kërkojmë shkarkimin, burgosjen dhe ndjekjen penale të u.d të drejtoreshës së QPS-së në Pejë, Shpresa Lungajt. Kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e policit të lodhur, Farukut. Kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës. Kërkesat tona janë të qarta, s’duam suspendime, duam shkarkime, burgosje e ndjekje penale”, tha ajo, raporton KosovaPress.
Ndërsa, njëra nga protestueset tjera tha se sot u bë edhe më e qartë se Policia e Kosovës anashkalon, nënvlerëson, përçmon dhe ndihmon për t’i vrarë gratë e vajzat që raportojnë dhunë.
Sipas saj, polici Faruk Muqolli ishte lodhur nga këmbëngulja e Arlindës për drejtësi, teksa shtoi se detyrë e protestuesve është që të sigurohen se policia të japë përgjegjësi.
“Kur Arlinda kërkoi ndihmë prej policisë kundër abuzuesve të saj, polici në detyrë i përçmoi përgjërimet e saj deri në frymën e saj të fundit. Ai polic i tha se nuk do të merret më me të dhe se ish pas lodhur prej përgjërimeve të saj për siguri e drejtësi. Për çka ish lodh ai, ai ish lodhë veç prej punës dhe detyrës së vet, kurrgjë më shumë, prej Arlindës dhe vetëdija e saj e plotë që policia ia bënte edhe më të mundshme padrejtësitë ndaj saj. Ai polic ish pas lodhur nga këmbëngulja e Arlindës për drejtësi, ish lodhur deri në vrasjen e saj. Sot, është detyrë e jona që të sigurohemi se policia jep përgjegjësi. Sot e çdo ditë tjetër nuk lejojmë që policia të shitet si institucion sigurie për gratë e t’i ndihmoi dhunës ndaj tyre. Në mënyrën më të përgjegjshme ne e kemi kuptuar se policia neve nuk na mbron. Kjo neve na ka kushtuar dhunë, na ka kushtuar nënçmim e vrasje. Ai polic është krejt policia. Ai nuk është një defekt, është një manifestim i natyrshëm i sistemit tonë të dhunshëm”, tha ajo.
Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë lidhur me trajtimin e rastit të viktimës Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.
Vendimi është marrë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili po zhvillon hetim paraprak për veprimet apo mosveprimet e tyre në këtë rast.
Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e sotme suspendoi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi. Njëkohësisht, ndaj tyre u hap procedurë hetimore.

“Nuk mjaftojnë suspendimet” - Protestuesit hedhin tymues para Ministrisë së Drejtësisë, kërkojnë dorëheqjen e Gërvallës dhe burgosjen e Muqollit
E plotësuar: Protestuesit, pas marshimit drejt Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë nisur edhe drejt Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, duke kërkuar shkarkime dhe ndjekje penale të personave që, sipas tyre, kanë dështuar të veprojnë në rastin e Arlinda Zekajt.
“Nuk po kërkojmë suspendime, po kërkojmë shkarkime dhe ndjekje penale”, është thënë në thirrjet e protestuesve.
Gjatë protestës, ata kanë lëshuar me zë të lartë audio-incizimin në të cilin dëgjohet Arlinda Zekaj duke biseduar me zyrtarë policorë në Pejë.
Protestuesit i janë drejtuar edhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke kërkuar ndjekjen penale të Faruk Muqollit, shefit të hetimeve të Policisë në Pejë dhe njërit prej 11 zyrtarëve policorë të suspenduar në lidhje me rastin.
“Ministër Sveçla, shkarkoje Farukun e dërgoje në burg, ndjeke penalisht, nashta në burg nuk lodhet”, kanë thirrur protestuesit.
Ndërkaq, para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, protestuesit kanë kërkuar burgosjen e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe të prokurores që ka trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.

Protesta kundër vrasjes së grave vazhdon për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e Gërvallës dhe Sveçlës
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke kërkuar masa konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekja penale e personave që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Liridona Sijarina, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Protesta e sotme vjen një ditë pas protestës së parë, të organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj.
Ndërkohë, institucionet kanë ndërmarrë masa lidhur me trajtimin e rastit. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ndaj tyre është iniciuar edhe procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për të shqyrtuar mënyrën e trajtimit të rastit.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e mundshme gjatë trajtimit të raportimeve të Arlinda Zekajt.
Protestuesit kërkojnë që përgjegjësia institucionale të mos mbetet vetëm në masa administrative, por të hetohen plotësisht të gjitha veprimet dhe mosveprimet që mund të kenë ndikuar në trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje./Telegrafi.














































