“Ka vetëm një rrugë për të fituar ndeshjet: të kemi më shumë dëshirë se të tjerët”. Me këtë mesazh, Luciano Spalletti ka tentuar të motivojë Juventusin në prag të supersfidës me Napolin, skuadrën me të cilën fitoi titullin kampion në sezonin 2022-2023.
Në konferencën për shtyp, trajneri i bardhezinjve foli edhe për ditëlindjen e Juventusit, duke shprehur dëshirën që skuadra të rikthejë entuziazmin te tifozët.
“Çfarë i uroj Juventusit, që nesër ka ditëlindjen? I uroj të shohë shpresën në sytë e tifozëve të tij dhe të jetë një skuadër që u jep atyre të gjitha frytet që meritojnë. Duhet të kemi një skuadër me ekuilibër, sepse do të përballemi me një ndeshje shumë të vështirë, që do të na angazhojë në të gjitha zonat e fushës. Nuk do të ketë kohë për të ndaluar e për të diskutuar gjatë atë që duhet të bëjmë”, u shpreh Spalletti.
Ai foli edhe për Zhegrovën dhe Bogën, duke lënë të kuptohet se të dy mund të aktivizohen gjatë pjesës së dytë.
“Janë futbollistë që, edhe nëse nuk do të luajnë si titullarë, do të kenë mundësinë të zbresin në fushë në pjesën e dytë”, deklaroi trajneri.
Spalletti shprehu më tej dëshirën për të përmbysur situatën e vështirë që po kalon Juventusi dhe për ta rikthyer skuadrën në rrugën e rezultateve pozitive.
“Kanë ndodhur shumë gjëra që kanë krijuar vështirësi dhe dua ta përmbys këtë moment. Unë dhe skuadra duam të kthehemi në rrugën e duhur, sepse për këtë jetojmë dhe punojmë. Duhet të fitojmë respektin që na është mohuar”, theksoi ai.
I pyetur nëse kishte përjetuar më parë situata të ngjashme, trajneri u përgjigj se nuk është hera e parë që përballet me periudha të vështira.
“E kam kaluar disa herë, sepse kam pasur fatin të punoj me skuadra që luftonin për të fituar ose me skuadra që duhej të përmirësonin pozitat në klasifikim. Kur nuk ke rezultate te Juventusi, jehona është shumë më e madhe dhe e ndesh në çdo cep, duke e bërë të vështirë edhe jetën normale. E kam përjetuar këtë situatë dhe nuk do të jetë as e fundit”, përfundoi Spalletti.

