Lajmi i fundit

LIVE/ 21 ditë revoltë, studentët bojkotojnë edhe sot mësimin, gati për protestë kundër Edi Ramës

Pesë laboratorë kokaine të zbuluar në një vit/ LA STAMPA: Roli i klaneve shqiptare në trafikun e drogës

Pesë laboratorë kokaine të zbuluar në një vit/ LA STAMPA: Roli i klaneve shqiptare në trafikun e drogës

13:07, 02/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pesë laboratorë të sekuestruar brenda një viti në Kalabri, Lazio, Umbria dhe Toskanë. Roli i klaneve shqiptare

Nga Giuseppe Legato, LA STAMPA

Zbulimi i parë daton më 19 prill 2025: karabinierët e Gioia Tauro-s sekuestrojnë 100 kg kokainë në formë blloqesh në një shtëpi të vjetër fshati, në zonat rurale të “Piana”-s. Të vendosura njëra mbi tjetrën dhe të fshehura në hapësirën e murit të dyfishtë, pas të cilit askush nuk priste të gjente një laborator të pajisur në mënyrë të përsosur, me përbërës kimikë, furra me temperatura të larta, maska dhe kostume mbrojtëse.

Episodi i dytë, në Ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt 2026: në zonat rurale të Locride-s, në komunën Bianco, zbulohet “një laborator i mirëfilltë i përshtatur si rafineri kokainë, siç dëshmohet në mënyrë të pakundërshtueshme nga materialet e përdorura për prodhimin, përzierjen dhe tharjen e lëndës”.

Ja çfarë u gjet: presa hidraulike për formimin e blloqeve, kallëpe, soba me gaz, furra me mikrovalë, llamba, garuzhde, acid citrik, materiale për paketimin dhe ambalazhimin e drogës, si dhe peshore. Nuk kishte drogë, por u sekuestruan 473 kg acid borik, një agjent kimik që përdoret për të rritur vëllimin e kokainës.

Pesë raste të rafinerive të paligjshme, të zbuluara në pak më shumë se një vit, janë përfshirë në dosjet e hetimeve për trafikun e drogës në Itali. Hija e ‘Ndrangheta-s dhe e mafies shqiptare, sipas rastit, është dukshëm e pranishme. Dhe, në fakt, lind pyetja se si, në zemër të masivit Aspromonte, në një zonë ku banojnë familjet elitare të mafies kalabreze me shtrirje ndërkombëtare, katër të huaj – sipas një hipoteze hetimore – mund të hapin një aktivitet të kësaj natyre, duke vepruar në mënyrë të pavarur dhe me një frymë të guximshme sipërmarrëse.

Megjithatë, në të gjitha rastet – kjo është e përbashkëta – nën hetim ose të arrestuar kanë përfunduar persona me origjinë nga Amerika e Jugut, kryesisht kolumbianë.

Analistët e ROS-it i konsiderojnë ata si “ekspertizën” që u mungon klaneve kalabreze, por edhe atyre shqiptare, të cilat dyshohet se janë të përfshira drejtpërdrejt. Kjo të kujton disi vitet ’70 dhe ’80, kur marsejezët dërgonin kimistët e tyre në Siçili për t’i mësuar Cosa Nostra-s se si të rafinonte heroinën.

Në pritje të zhvillimeve të hetimeve, vlejnë fjalët e shqiptuara nga komandanti i ROS-it (Reparti Operativ Special) të karabinierëve, Vincenzo Molinese, gjatë seancës dëgjimore të korrikut të kaluar në Komisionin Antimafia, së bashku me komandantin e repartit të dytë hetimor të ROS-it, Massimiliano D’Angelantonio.

Ata folën për “një kufi të ri” dhe për një metodë jashtëzakonisht të sigurt, sepse u shmanget kontrolleve me skaner, por që kërkon bashkëpunimin e kimistëve, të cilët vihen në dispozicion nga vetë organizatat furnizuese. Një zhvillim që në ROS të gjithë e konsiderojnë plotësues, ende jo të përhapur në mënyrë sistematike, por gjithsesi të denjë për t’u hetuar më tej, duke pasur parasysh rastet gjithnjë e më të shpeshta.

Kokaina vazhdon të mbërrijë në Itali në sasi prej disa tonësh, tashmë e rafinuar në portet e Amerikës së Jugut, ku Brazili zë vendin e parë. Kjo mbetet rruga më e përdorur. Megjithatë, fenomeni i laboratorëve konsiderohet “interesant” dhe shihet si “një përpjekje për të kuptuar – zbulon një burim hetimor – nëse ekzistojnë mundësi më pak të rrezikshme për transportimin e një pjese të ngarkesave”.

Në këtë drejtim, vlen të theksohet zbulimi më i fundit, në Latina, më 6 gusht të kaluar. Atij i paraprinë dy zbulime të ngjashme në Fucecchio dhe Foligno. Në Latina, ROS-i sekuestroi 7,4 kg kokainë, një pjesë të përpunuar dhe një pjesë ende në formë paste të papërpunuar. Në pranga përfunduan tre persona, dy burra dhe një grua. Pikërisht gruaja drejtoi një pistoletë (me fishekë manovre) kundër karabinierëve në momentin kur ata hynë me forcë në ambientet e ngritura brenda një vile luksoze.

Aty ndodhej një presë hidraulike për prodhimin e blloqeve prej një kilogrami, mbi të cilat ishte stampuar logoja “B”, si dhe disa enë të mëdha plastike që përmbanin një përzierje tretësi dhe kokainë ende në gjendje të tretur. Në një sirtar u gjetën dy shënime të shkruara me dorë, në spanjisht dhe italisht, ku përshkruheshin hollësisht procedurat për nxjerrjen dhe përpunimin e kokainës në formë paste.

Kështu është krijuar një tablo më e qartë e mënyrës së veprimit: pasta e kokainës tretet në lëkurë për përpunim, pëlhura, pelet, dru ose produkte plastike dhe më pas nxirret përmes një larjeje kimike dhe një procesi pastrimi me acid.

Kjo kushton më pak se kokaina që mbërrin në formë blloqesh, por kërkon njohuri të specializuara, ekspertizë dhe aftësi teknike që mafiet tradicionale nuk i kanë. Mungesën e tyre ato e kompensojnë duke sjellë në Itali “kimistët”, shpesh me ndihmën e po atyre organizatave që dërgojnë ngarkesat. Ata paguhen, strehohen dhe më pas dërgohen përsëri në vendin e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco