Trepça vazhdon me ritëm të pandalshëm, mposht Prishtinën dhe regjistron fitoren e shtatë radhazi

Trepça ka vazhduar serinë pozitive të rezultateve, duke triumfuar edhe në përballjen me Sigal Prishtinën në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.
Kampionia në fuqi fitoi me rezultat 89:79 në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë, e cila ishte e fundit e xhiros së shtatë të kampionatit.
Për mitrovicasit kjo ishte fitorja e shtatë radhazi në të gjitha garat. Katër prej tyre janë arritur në Superligë, ndërsa tri të tjera në FIBA Europe Cup.
Trepça e nisi më mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me pesë pikë dallim (24:19), ndërsa në të dytin e thelloi epërsinë, duke triumfuar 25:21.
Vendimi për fituesin praktikisht u mor në çerekun e tretë, kur “Xehetarët” dominuan me rezultat 25:15 dhe krijuan një epërsi prej 19 pikësh (74:55) para dhjetë minutave të fundit.
Prishtina reagoi në çerekun e katërt, të cilin e fitoi 24:15, por kjo nuk mjaftoi për të rrezikuar fitoren e mysafirëve.
Drilon Hajrizi dhe Drew Thelwell ishin ndër më të dalluarit te Trepça. Hajrizi kontribuoi me 13 pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime, ndërsa Thelwell e mbylli ndeshjen me 15 pikë dhe katër asistime.
Rron Dahsyla shtoi 14 pikë e gjashtë kërcime, James Graham regjistroi 13 pikë, shtatë kërcime dhe tri asistime, kurse Ja’cori Payne gjithashtu shënoi 13 pikë.
Te Prishtina, më efikasi ishte Bryson Dawkins me 18 pikë dhe pesë asistime. Malcolm Armstead realizoi 15 pikë e katër asistime, ndërsa Ajiri Ogemuno shtoi 14 pikë, pesë kërcime dhe dy asistime.
Pas shtatë xhirove, Trepça ka bilanc prej pesë fitoreve dhe dy humbjeve. Mitrovicasit renditen në vendin e dytë me 12 pikë, një më pak se Bashkimi.
Në anën tjetër, Prishtina numëron tri fitore dhe katër humbje, me gjithsej nëntë pikë./Telegrafi/















































