Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka reaguar ashpër pas episodeve të dhunës të shënuara gjatë fundjavës në disa qytete të Gjermanisë, gjatë protestave të organizuara nga grupimi “Gjenerata Z”.
Merz ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të tolerojë asnjë formë dhune, duke paralajmëruar ndëshkime të rënda për personat që sulmojnë efektivët e policisë, shërbimet e emergjencës apo përfshihen në grabitje dhe akte vandalizmi.
Në një fjalim të përgatitur për konferencën e drejtuesve lokalë të Unionit Kristian-Demokrat (CDU), në Berlin, kancelari theksoi se dhuna nuk ka vend në shoqërinë gjermane.
“Dhuna nuk ka vend në rrugët tona dhe qeveria ime nuk do të tregojë tolerancë në këtë drejtim. Kushdo që sulmon policët dhe shërbimet e emergjencës, si dhe grabit dyqane, sulmon lirinë tonë, tallet me shoqërinë dhe me interesat legjitime të të rinjve. Shkelësit e ligjit do të ndiejnë forcën e plotë të tij”, thuhet në fjalimin e Merz.
Kreu i qeverisë gjermane u shpreh se i kupton shqetësimet dhe kërkesat e të rinjve, por theksoi se protestat paqësore nuk duhen ngatërruar me aktet kriminale dhe dhunën ndaj autoriteteve.
Gjatë fundjavës, mijëra të rinj morën pjesë në protesta në disa qytete të Gjermanisë. Ndërsa shumica e tubimeve u zhvilluan pa incidente, në Frankfurt dhe qytete të tjera situata u tensionua, duke përfunduar në përplasje me policinë, dëmtime të bizneseve dhe grabitje.
Në Frankfurt, sipas raportimeve, mbi 100 efektivë policie mbetën të plagosur, duke e bërë situatën një nga episodet më shqetësuese të këtyre protestave.

