Një kërcënim për bombë ka detyruar një avion të kompanisë ajrore Wizz Air të ndryshojë itinerarin dhe të ulet në Budapest të Hungarisë, teksa udhëtonte nga Londra drejt Sofjes, në Bullgari.
Bëhet fjalë për një avion të tipit Airbus A321, i cili ishte nisur nga aeroporti Luton të hënën në orën 08:15, me destinacion kryeqytetin bullgar. Sipas kompanisë ajrore, kërcënimi u mor gjatë fluturimit, duke aktivizuar menjëherë protokollet e sigurisë.
Në operacion u përfshi edhe një avion luftarak hungarez, i cili shoqëroi avionin e pasagjerëve deri në uljen e sigurt në aeroportin ndërkombëtar “Liszt Ferenc” të Budapestit. Lajmi u bë i ditur nga ministri hungarez i Mbrojtjes, Ruszin-Szendi Romulusz, përmes një postimi në Facebook.
Sipas të dhënave të platformës FlightRadar24, avioni u devijua drejt Hungarisë ndërsa fluturonte mbi Bosnje-Hercegovinë. Ai ishte parashikuar të mbërrinte në Sofje rreth orës 13:25.
Pas uljes, avioni u drejtua në një zonë të posaçme të aeroportit, ku autoritetet kryen kontrollet e nevojshme të sigurisë si në avion, ashtu edhe për pasagjerët.
Në një reagim zyrtar, Wizz Air konfirmoi devijimin e fluturimit, duke theksuar se vendimi u mor në përputhje me procedurat e sigurisë dhe se kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet përkatëse.
Më vonë gjatë së hënës, kompania ajrore bëri të ditur se kontrollet nuk zbuluan asnjë objekt të dyshimtë në avion dhe se fluturimi pritej të vijonte së shpejti drejt destinacionit përfundimtar.
Wizz Air theksoi se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet prioriteti kryesor i kompanisë.

