Partitë opozitare rezultojnë me mbështetje më të lartë se Partia Socialiste në Tiranë, sipas të dhënave të sondazhit të fundit të realizuar nga kompania italiane “Istituto Demoscopico”, e njohur edhe si NOTO, për llogari të SYRI-t.
Sipas përllogaritjeve të publikuara, Partia Demokratike me koalicionin e saj, së bashku me partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Mundësia”, arrijnë në 48.5% të mbështetjes, kundrejt 42% që merr Partia Socialiste.
Sondazhi evidenton një rritje të mbështetjes për forcat opozitare, në një periudhë kur Shqipëria po përjeton një krizë të rëndë politike. Prej muajsh, nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe pedagogë janë përfshirë në protesta kundër qeverisë së Edi Ramës. Në këto protesta është angazhuar edhe Partia Demokratike dhe forca të tjera politike.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të pranuara nga të gjitha palët.
Sondazhi i NOTO-s është realizuar në periudhën 18–27 tetor 2026, në një kohë kur vendi po përjetonte protestat studentore dhe përshkallëzimin e krizës politike. Në të janë intervistuar 2,000 qytetarë, ndërsa marzhi i gabimit është plus/minus 3.3%.
Të pyetur se për cilën parti politike do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin ditën e intervistimit, qytetarët kanë dhënë këto përgjigje:
Partia Socialiste e Shqipërisë: 42%
Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike: 37.5%
Partia Mundësia: 6%
Nisma dhe Shqipëria Bëhet: 5%
Lëvizja Bashkë: 4%
Koalicioni i Djathtë për Zhvillim (DZH): 2%
Partia Socialdemokrate: 1.5%
Koalicioni Euro-Atlantik (KEA): 1%
Lëvizja Atdheu (LA): 0.5%
Partia Aleancë Kombëtare Shqiptare: 0.3%
Partia Aleanca për Demokraci dhe Drejtësi (ADR): 0.2%
Të dhënat e publikuara për Tiranën tregojnë se, nëse mbështetja për PD-në dhe koalicionin e saj, “Mundësinë” dhe “Shqipëria Bëhet” llogaritet së bashku, opozita arrin në 48.5%, duke kaluar Partinë Socialiste me 6.5 pikë përqindjeje.



