“Mafia shqiptare nuk ekziston”, Rama përballë gazetarit amerikan: Janë gjepura pretendimet për kontrollin e tregut të kokainës
Kryeministri Edi Rama ka folur për protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke deklaruar se ato shërbyen për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe se disa prej kërkesave të ngritura po zbatohen.
Në intervistën për “Channel 5”, me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, Rama u pyet edhe për akuzat mbi shtrirjen e grupeve kriminale shqiptare në tregjet ndërkombëtare të kokainës, por i cilësoi si “gjepura” pretendimet për ekzistencën e një mafie shqiptare që kontrollon këto tregje.
Kreu i qeverisë kundërshtoi gjithashtu shifrat e përmendura nga gazetari për burimet e dyshimta të parave që qarkullojnë në sektorin e ndërtimit dhe atë imobiliar, duke këmbëngulur se SPAK nuk ka publikuar një konstatim të tillë.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: Çfarë mendimi keni për protestat në rrugë, “Revolucioni Flamingo” dhe njerëzit që kërkojnë ndryshim?
Rama: A po ndjen që këtu është duke ndodhur ndonjë revolucion?
Gazetari: Thjesht po e them ashtu siç e quajnë…
Rama: Është një protestë dhe çdo gjë është në rregull. Ne kemi të drejtën të protestojmë si një vend i lirë demokratik.
Gazetari: A keni dëgjuar ndonjë shqetësim të tyrin që ju ka bërë të mendoni se duhet të ndryshoni disa gjëra për shoqërinë këtu?
Rama: Jo, le të themi që javën e parë, kur të gjithë ishin në rrugë, ishte shumë e dobishme për të kuptuar që të dëgjonim përtej zhurmës. Dhe sigurisht që ne kemi mbajtur shënime. Disa gjëra nga këto shënime janë duke u zbatuar.
Gazetari: Cilat janë ato gjëra që ju mendoni se janë të rëndësishme për t’u zbatuar?
Rama: Për shembull, pasqyra digjitale. Presidenti juaj (Donald Trump), pak ditë më parë ekspozoi një burim informacioni të AI për qeverinë. Kështu që ne e lançuam menjëherë pasi e mbajtëm shënim që nga fillimi i protestës dhe tani po e zbatojmë. Për shembull, tani keni online të ekspozuara në mënyrë transparente çdo gjë që është e lidhur me projektin që ka nxitur turmën.
Gazetari: Një temë që ka dalë shumë nga këto protesta është rritja e krimit të organizuar në Shqipëri. Se si disa grupe të ndryshme janë rritur shumë, duke dominuar në tregun e kokainës në Europë, Australi dhe shtete të tjera.
Rama: Kush e thotë këtë?
Gazetari: Raportet e DEA-s (Agjencia për Zbatimin e Ligjeve mbi Drogat), inteligjenca e SPAK-ut dhe organizata të tjera kanë folur se si tregje të ndryshme të kokainës në Londër, në Izrael dhe porte të ndryshme në Ekuador, tashmë janë nën kontroll nga grupe që kanë pranuar se kanë lidhje me mafian shqiptare.
Rama: Unë kam dëgjuar se, në të kundërt, të paktën drejtori i SPAK, pak vite më parë që nuk ka diçka të tillë si mafia shqiptare. Nuk ekziston. Ka shqiptarë, siç ka amerikanë, siç ka spanjollë ose italianë, quaji si të duash, që janë të përfshirë në këtë zinxhir mbarbotëror. Por nuk ka asgjë si një mafia shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Këto gjëra janë, më falin, gjepura.
Gazetari: Nga mendoni se vijnë këto gjepura?
Rama: Jo, por janë gjepura sepse nuk përputhen me realitetin e gjërave.
Gazetari: Pra ju mendoni se këto gjëra nuk ndodhin?
Rama: Ky nuk është një opinion. Po ju them që vetë drejtori i SPAK më ka thënë se mafia shqiptare nuk ekziston.
Gazetari: Në rregull. Nëse sheh të dhënat e fundit të publikuara nga SPAK së fundmi, thuhet se përmes 2015 dhe 2024, është vlerësuar se më shumë se 54% e parave që lundrojnë nga agjencitë imobilare dhe sektorit të konstruksionit në Shqipëri vijnë nga burime të panjohura dhe të paligjshme. Ju keni dorë në aprovimin e këtyre zhvillimeve.
Rama: Kush e thotë këtë?
Gazetari: SPAK. Shumë gazetarë ndërkombëtarë.
Rama: SPAK-u nuk e ka thënë kurrë këtë. SPAK-u nuk e ka raportuar kurrë këtë problem, sepse SPAK mund të ketë thënë diçka të ndryshme, që paratë e sekuestruara janë, një pjesë e tyre janë derdhur në agjencitë imobilare. Por SPAK nuk e ka thënë kurrë atë.




