Ministri Gogu tregon takimin me Veliajn në burgun e Fierit: Folëm për kushtet e trajtimit të tij dhe ankesat e shprehura publikisht nga avokati Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar rritjen e numrit të gjyqtarëve në vend, me qëllim përballimin e ngarkesës në sistemin gjyqësor dhe reduktimin e stokut të dosjeve të prapambetura.
Aktualisht, nga 417 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 309 janë efektivisht në detyrë, për shkak të vakancave. Për këtë arsye, KLGJ propozon që numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të arrijë në 528, të ndarë në gjyqtarë të përhershëm, rezervë dhe të përkohshëm.
Në planin e propozuar parashikohet shtimi me 84 gjyqtarë të përhershëm në organikën kombëtare, të cilët do të shpërndahen mes gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit.
Pjesën më të madhe të shtesës pritet ta përfitojë shkalla e parë e gjyqësorit, me 64 gjyqtarë. Vëmendje e veçantë i kushtohet juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë dhe gjykatave administrative, të cilat parashikohet të shtohen përkatësisht me 18 gjyqtarë.
Sipas dokumentit të KLGJ-së, 44 gjyqtarë propozohet të caktohen në juridiksionin e përgjithshëm, konkretisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë.
Ndërkohë, për juridiksionin administrativ parashikohet shtimi me 18 vende, nga të cilat 16 do t’i caktohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet të shtohet me 2 gjyqtarë.
Edhe gjykatat e apelit do të përfitojnë nga rritja e organikës, me një total prej 20 pozicionesh të reja. Sipas planit, 6 gjyqtarë do t’i shtohen Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, 12 Gjykatës Administrative të Apelit dhe 2 shkallës së dytë të GJKKO-së.
Përveç shtimit të vendeve të përhershme, KLGJ propozon edhe krijimin e një organike rezervë. Konkretisht, përveç 84 pozicioneve të reja të përhershme operacionale, parashikohet të krijohen edhe 18 vende të përhershme të rezervës funksionale.
Këta gjyqtarë do të jenë të emëruar dhe të gatshëm për të zëvendësuar vakancat që krijohen në sistem, në rastet kur gjyqtarët angazhohen për periudha të gjata në institucione të tjera, si KLGJ-ja, Gjykata Kushtetuese apo institucione të tjera. Kjo skemë synon të shmangë situatat kur gjykatat e origjinës mbeten me vende bosh për shkak të angazhimit të gjyqtarëve në institucione të tjera.
Me realizimin e këtyre dy shtesave, numri i vendeve të përhershme të gjyqtarëve parashikohet të rritet nga 417 në 519. Ndërkohë, për një periudhë 9-vjeçare, propozohet edhe shtimi me 9 gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, me synimin për të përballuar numrin e lartë të çështjeve të mbartura.
“Studimi evidenton nevojën për një kapacitet shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të lidhur me trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh. Kjo masë synon të kontribuojë në reduktimin e stokut të akumuluar në këtë gjykatë”, thuhet në dokumentin ku propozohet projektvendimi.
Krahas rritjes së numrit të gjyqtarëve, KLGJ parashikon edhe shtimin e administratës gjyqësore, e cila do të mbështesë funksionimin e gjykatave.
Në dokument propozohet një minimum prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 vendet e përhershme, si dhe 56 punonjës të tjerë për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë.
Gjithashtu, studimi nënvizon se krijimi i pozicioneve të reja duhet të shoqërohet me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme ndërtimore dhe teknologjike, në mënyrë që gjykatat të funksionojnë me efektivitet. Për këtë arsye, rekomandohet hartimi i një plani të posaçëm investimesh.
Top Channel