Pas një sërë tentativave të amerikanëve për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, përmes rekrutimit të shqiptarëve, gjatë viteve 1955, është vënë në lëvizje dhe Sigurimi i Shtetit. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet një ngjarje në ambasadën shqiptare në Romë, ku CIA tentoi të rekrutonte një punonjës të saj, por në fakt ky i fundit kishte bërë një sërë tentativa të rekrutonte një agjent shqiptar që ishte pjesë e CIA-s.

Në dokument janë zbardhur dhe emrat, teksa kjo gjë i ka shqetësuar shumë amerikanët, të cilat rrëfejnë se nuk kishin informacion fare se si ishin shpërndarë agjentë e Sigurimit. Dyshimet e tyre ishin se Sigurimi po tentonte të rekrutonte agjentë të CIA-s dhe t’i përdorte ata për të vjedhur informacione mbi operacione të ndryshme. CIA përdori një agjent të sajin për të vjelë informacione nga një punonjës i ambasadës shqiptare në Romë, ku dhe nisi të dyshonte se ai ishte pjesë e Sigurimit.

Personeli i projektit: Kraja, Shyti, Gjon Markagjoni

Ernest Koliqi nga Shkodra, intelektual, anëtar i kabinetit që ka bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe ka lidhje të mundshme në Vatikan. Mund të jetë në nën-agjent i inteligjencës gjermane. I biri i subjektit në vitin 1949, raportohej se ishte në kontakt me inteligjencën italiane për operacionet kundër Shqipërisë. Objektivat e projektit janë shqiptarët me qëndrim në Shqipëri, Jugosllavi dhe Italia. Kontaktet me individët e zonave të shënjestruara janë mbajtur me anë të postës së hapur. Në vitin 1953 ka pasur dyshime mbi efikasitetin e operacionit, pasi përpjekjet e BKI (Balli Kombëtar Indipendent) u gjykuan si jo-operacionale dhe jo-produktive.

Gjatë kësaj periudhe hezitimi u pranua se projekti nuk do të krijonte infiltrime agjentësh, por mendohej se do të forconte masën e ndërlidhjes ndërmjet CIA-s dhe inteligjencës italiane. Një nga aspektet interesante të projektit ishte përdorimi i nëntë agjentëve në Jugosllavi, çka besohet se do të hidhte dritë mbi qëllimet e vërteta të Jugosllavisë në lidhje me Shqipërinë dhe gjithashtu të zbuloheshin mënyrat e veprimit të UDB-së.

Kontrolli mbi agjentët

Gjatë viteve të para të bashkëpunimit CIA-BKI (1950-1953) agjentët interesoheshin më shumë për politikat shqiptare të emigracionit, përfshi dhe intriga apo skema për rritjen e prestigjit personal. Nga eksperienca ne e dimë se kjo është normale për grupet politike në emigracion dhe që atëherë CIA i shihte me dyshim. Projekti përfshinte një mbështetje të konsiderueshme financiare. Shumica e informacioneve të marra ishin mbi aktivitetet jugosllave kundër individëve shqiptarë. Kontrolli ynë mbi agjentët shqiptarë vjen prej bindjes së tyre të fortë ideologjike se SHBA-ja është kampione e vetë-këmbënguljes dhe shpresa e vetme e çlirimit të vendit, ndërsa disa agjentë të veçantë kontrollohen prej nesh, nga fakti se mund të ekspozohet qëllimisht si bashkëpunëtorë të SHBA-ës.

Por problemi i kontrollit nuk mund të zgjidhet tërësisht kur kemi të bëjmë me figura apo parti politike, apo me nën-agjentët e tyre, prandaj ne dhe në komunikimet tona me BKI-në ne përdorim frazën e mjegulluar “burime të shumta në numër për t’u përmendur”, disi e ngjashme me operacionet negative të emigracionit polak me mungesë kontrolli, shpenzime të shumta dhe terren pjellor për agjenturë të dyfishtë. Përveç disa raportimeve për transportet, informacioni nga shqiptarët e Jugosllavisë, përmban vetëm aktivitetet e sherret brenda Komitetit për “Shqipërinë e Lirë”, NCFA, si dhe lëvizjet, thashetheme apo vuajtjet e shqiptarëve në Jugosllavi.

Përplasja e agjentëve

Iliaz Kraja (i sponsorizuar nga CIA) na prezantoi një mundësi për depërtim në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, me anë të funksionarit Aleko Shyti, por mendohej se qëllimi i vërtetë i Shytit ishte rekrutimi i Krajës në një agjent të dyfishtë. Kjo lojë psikologjike mes Krajës e Shytit na sjell në mendje tre objektivat kryesorë të operimit: informacionet mbi personalitetet dhe funksionet e tyre, mësimi i politikave të kundërshtarit, dhe mënyrat e tij të operimit. Kështu do të ishte me interes të njihnim arsyet e vërteta të kërkesës së hapur të Shytit ndaj Krajës, për informacione mbi misionet e mundshme kundër Shqipërisë apo kohën dhe vendit e të dërguarve.

Pyetjet që ngrihen janë: A është përgjuar ai takim? A mund të organizojmë një përgjim të takimit të ardhshëm mes tyre? Në çfarë forme i merr CIA informacionet mbi takimet? Kur dhe si është instruktuar Kraja nga CIA, për të luajtur me Shytin? Një detaj me interes është takimi i tyre më 10 maj ku Kraja pranoi 20.000 lira në formë huaje nga Shyti. Në rast se nuk provohet e kundërta, kjo është një provë e fortë se Kraja kontrollohet nga oficeri i tij shqiptar. A mund të jetë e vërtetë që NCFA të jetë i infiltruar nga shërbimet sekrete shqiptare? Çfarë dimë ne për anëtarë si Kodra, Mufiti, Bineri, të cilëve iu mohua mundësia të ishin agjentë të Shytit?

Dyshimet për Aleko Shytin

Me anë të kontakteve të tij Shyti ka vazhduar të gërmojë për informacion mbi Gardën Shqiptare në Gjermani, dhe beson se agjentët rekrutohen prej saj siç bëhej disa vite më parë. Kraja duket tepër i hapur në diskutimet e tij me Shytin dhe ky i fundit e ka hapur temën në të gjitha takimet e kohëve të fundit. Kraja në vend që të hiqet si injorant, ka pranuar shumë gjëra, madje edhe për ato që nuk ka informacion. Lista e kërkesave të Shytit për ne funksionon si lista e prioriteteve të shërbimeve shqiptare të inteligjencës. Prishja e marrëdhënies Kraja – Shyti rreth 28 qershorit, tërhoqi vëmendjen e gjashtë shqiptarëve që ishin në dijeni të Krajës dhe operacionit të tij.

Për këtë rast oficerët tanë duhet të pranojnë një mungesë vigjilence në ruajtjen e sigurisë. Tentativa për caktimin e takimit me Shytin më 4 shtator dështoi. Dy ditë më vonë Kraja u takua me oficerin e ri të çështjes, duke treguar se ai vëzhgohej nga inteligjenca shqiptare dhe se ata mund të kontaktonin me të në çdo kohë. Është interesante të përmenden referencat e shpeshta të Mersinit (oficerit të ri të Sigurimit) për integritetin territorial të Shqipërisë, siç bëjnë edhe komunistët, që është një nga faktorët kryesorë të mbështetjes së popullit për pushtetin komunist.

Frika nga Sigurimi

Tani që janë kryer tre takime me Mersinin dhe ne i kemi dhënë informacion të kontrolluar, po bëhet e qartë se shërbimet shqiptare nuk dinë më shumë për objektivat e tyre nga sa dimë ne për objektivat tona. Ne nuk dimë shumë mbi mënyrat e veprimit të Sigurimit shqiptar, personave dhe politikave të tyre. Tani ne nuk duhet të kënaqemi me observimet e reagimit të Mersinit në biseda, por Kraja duhet të vihet nën kontroll nga një oficer amerikan dhe të trajnohet në taktike dhe objektiva specifikë.

Kontroll mbi Krajën

Në konkluzion, për të marrë nën kontroll Krajën dhe për të evituar thyerje të tjera të sigurisë, ne duhet t’i apelojmë më shumë motivimit patriotik të subjektit, nëse ai ka vërtet ndonjë të tillë. Mund të përdorim shantazh ndaj Krajës apo të marrim masa drastike për ta bërë qëndrimin e tij në Itali krejtësisht në shërbim të SHBA-ës. Duhet të mësojmë nëse ai ka nënshkruar ndonjë dokument për 20.000 lirat e marra nga Shyti, pasi futja në borxh me firmën reale, është një teknikë e përdorur nga sovjetikët.

Duket se inteligjenca shqiptare ka mjaft informacion mbi NCFA, politikat dhe personelin, por kanë keqkonceptime mbi Kompaninë Gjermane të Gardës, dhe kjo duket se i shqetëson. Megjithëse ende nuk jemi të sigurt për besnikërinë totale të Krajës, çdo masë duhet marrë për të evituar të biem viktimë e tij. Me sa jemi në dijeni, ne mësojmë vetëm për ato që Kraja na raporton, prandaj i rikthehem sugjerimit të përgjimit audio. Rastit duhet t’i jepet analizë e thellë në mënyrë që të mos humbasim mundësitë që kjo marrëdhënie mund të sjellë.

Prill 1952

Raport operacional

Në fushën e veprimit politik po punojmë drejt dobësimit të pozitës së brendshme të regjimit të Hoxhës, teksa në krahun tjetër po forcojmë pozitën e NCFA me anë të propagandës. Sa i përket operacioneve me agjentë, po përpiqemi të krijojmë një bazë solide brenda Shqipërisë, që përfundimisht do të ketë aftësinë të përmbysë regjimin Hoxha, kur të jetë momenti për veprim.

Hapa për t’u marrë aktualisht: Infiltrimi në Shqipërinë e Mesme të grupit prej katër agjentësh pro-zogistë, për të vlerësuar situatën politike dhe ekonomike. Ata do të kontaktojnë me të gjithë elementët pro-zogistë dhe do të nxjerrin nga Shqipëria 10-12 elementë të rinj që do të përdoren si guida në misione të ardhshme. Ekzistojnë mundësitë që me ta të bashkohet edhe një grup i dërguar prej nesh brenda vendit.

20 prill

Misioni i kontaktit Pine Tree 

Një grup prej tre agjentësh do të infiltrohet në veri të Shqipërisë, për të tentuar të kontaktojë me grupin e katër agjentëve që kaluan dimrin në Prizren të Jugosllavisë.

20 maj

Një grup me katër agjentë do të infiltrohet në zonën e Korçës, për të llogaritur reagimin publik ndaj programeve tona të propagandës, si dhe për të krijuar burime inteligjence për stacionin klandestin të radios. Grupi prej tre njerëzish i Hamit Matjanit do të infiltrohet në Korçë, për të tentuar misionet goditëse në stacionin elektrik të Korçës, një depo municioni në juglindje të Korçës, dhe një depo municioni në veri të Korçës.

Qershor

Lëshimi i fletushkave të propagandës. Kontaktet do të bëhen me grupin Red One në Prizren të Jugosllavisë. Një njeri mund të lëshohet për të vendosur kontakte me grupin, për llogari të Komitetit për Shqipërinë e Lirë.

Qershor – Korrik

Tre infiltrime në grupe me nga dy njerëz, në forcat e armatosura, sipas informacioneve të refugjatëve. Misioni i vrasjes së Bogdanit, me dy njerëz që do të qëndrojnë në kamp për një javë.

Korrik

Grupi prek katër njerëzish nga kampi grek i Lavrionit, që do të infiltrohet në zonën e Gjirokastrës, me mision vendosjen e kontakteve me lidhje të vjetra në ushtri e polici. Të krijohet një rrjet komunikimi me letra dhe me korrierë.

28 tetor 1952

Rivaliteti mes amerikanëve dhe britanikëve

Në diskutimet tona të ardhshme me britanikët në lidhje me Shqipërinë, duhet të ngrihen disa pika që ndikojnë në pranimin ose jo të propozimeve të britanikëve. Një prej tyre është fakti se operacioni ynë “BGF-iend” është shumë më i madh dhe më kompleks sesa operacioni britanik “Valuable” dhe gjatë viteve të fundit operacionet tona kanë qenë shumë më të suksesshëm se ato britanike, duke dhënë shumicën e inteligjencës dhe duke shtuar prestigjin amerikan në rrethet shqiptare anti-komuniste. Ka disa sinjalizime se britanikët duket disi të pakënaqur nga arritjet tona në Shqipëri, pasi shqetësohet se ne mund të fitojmë një pozitë më të favorizuar influence si brenda vendit ashtu edhe në rrethet e emigracionit.

Megjithëse që prej fillimit britanikët janë tentuar që t’i kthejnë “BGF-iend” dhe “Valuable” në një operacion të përbashkët, ne kemi arritur të ruajmë dhe të mbajmë distancimit operacional, aq sa për të siguruar se përfundimi i njërit nuk sjell detyrimisht përfundimin e operacionit tjetër. Britanikët kanë përfituar shumë nga operacionet shqiptare të financuara vetëm me fondet amerikane. Çfarëdo që të ndodhë me projektin britanik “Valuable”, projekti amerikan është në pozitë shumë të mirë, për të vazhduar si një operacion ekskluzivisht amerikan.

Departamenti i Shtetit ka sinjalizuar se është i kënaqur me aktivitetet tona dhe do të vazhdojë ato në nivelin aktual. Në rast se britanikët vendosin të shkurtojnë ato të ndalojnë operacionet e tyre në Shqipëri, nuk ka arsye pse edhe projekti amerikan të ketë masa të tilla. Programi zbatohet në lidhje me direktivat e autoriteteve më të larta të SHBA=ës në lidhje me satelitët e Bashkimit Sovietik. Por besojmë se edhe projekti britanik mund të ketë përshkallëzime për arsye të humbjes së prestigjit britanik dhe rritjes së influencës amerikane në rajonin e Ballkanit

Maj 1961

Marrëdhëniet me BRSS-në

Marrëdhëniet e shtetit sovjetik janë përmirësuar me Jugosllavinë, duke sjell mjaft zhgënjim në Tiranë. Partia Komuniste shqiptare është shumë e zhgënjyer, që duhet të tregojë më pak urrejtje ndaj armikut të saj të vjetër. BRSS-ja ka nisur negociatat për një marrëveshje afatgjatë tregtie me Jugosllavinë, pesë ditë pas mbylljes së kongresit të partisë shqiptare. Negociatat u mbyllën në favor të jugosllavëve, me marrëveshjen për dyfishimin e volumit të tregtisë së vitit 1960, ndërsa me Shqipërinë, sovjetikët kanë nënshkruar një akord një-vjeçar që sjell vetëm një rritje prej shtatë për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Marrëdhëniet direkte shqiptaro-sovjetike nuk kanë ndryshuar shumë që prej kongresit të partisë shqiptare në shkurt. Mos marrja pjesë e Hoxhës e Shehut në Paktin e Varshavës tregoi tensionim të marrëdhënieve, por propaganda e Moskës është përpjekur shumë për të reklamuar shërbimet e mëparshme të sovjetikëve ndaj Shqipërisë. Moska shfrytëzoi gjithashtu përvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia (21 prill 1939), për t’i kujtuar asaj borxhin e çlirimit nga ushtritë fashiste, si dhe linjën aktuale të politikës së jashtme. Shqiptarëve iu kujtuan gjithashtu avantazhet e anëtarësisë në Paktin e Varshavës.

Gjithashtu, gjatë kohës kur në Pekin po përfundonte nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike mes Kinës e Shqipërisë, Radio Moska lavdëronte përvjetorin e katërt (18 prill) të deklaratës së vitit 1957 mes Shqipërisë dhe BRSS-së në Moskë. Ajo i kujtonte me nostalgji audiencës shqiptare “ditët plot diell”, kur liderët shqiptarë priteshin me entuziazëm kudo që shkonin, duke detajuar më tej dhuratat që kishte marrë populli shqiptar si rezultat i miqësisë. Sipas llogaritjeve të tyre, dhuratat arrinin 435 milionë rubla në mallra ekonomike. Ndërsa huat ekonomike që po ofroheshin nga Kina, arrinin në 500 milionë rubla.

Plani operacional për Shqipërinë 1954

Shqipëria është vendi më i vogël satelit i Bashkimit Sovjetik dhe një pikë e izoluar e komunizmit, me rëndësi shumë të vogël ushtarake, përveç një kërcënimi të pallogaritshëm në kufirin jugosllav, apo në formën e një baze për të rindezur luftën civile greke. Në disa kushte të caktuara ndërkombëtare, ajo mund të shërbejë si një pretekst për konsolidimin e hegjemonisë komuniste në formën e bashkimit të mundshëm të kufirit me Bullgarinë përgjatë juglindjes së Jugosllavisë.

Objektivat afat-gjatë

Marrja e informacioneve pozitive pëe çështjet politike, ekonomike e ushtarake mbi Shqipërinë, ruajtja dhe përforcimi i shpresës së çlirimit të popullit shqiptar dhe nxitja e dëshirës për rezistencë ndaj komunizmit. Dëmtimi i strukturave politike, ekonomike e ushtarake në Shqipëri; krijim i mjeteve dhe i terrenit për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga blloku sovjetik. Përmbledhje e inteligjencës mbi Shqipërinë: Shqipëria është një shtet tipik policor, me struktura të forta sigurie.

Deri në vitin 1953 popullata frikësohej aq shumë sa nuk mbështeste individët apo grupet klandestine, por më vonë u dallua një ndryshim, pasi pas vitit 1953 grupet i infiltruara nisën të merrnin ndihmë të konsiderueshme nga popullata, veçanërisht në rajonet malore veriore. Ndryshimi besohet të ketë ardhur prej faktit të përmirësimit të inteligjencës dhe rritjes së kalibrit të përgatitjes së operacioneve. Ushtria e vendit nuk mund të konsiderohet një element besnik i regjimit, por policia sekrete (Sigurimi) me rreth 10.000 anëtarë, është një armë e fortë dhe besnike e diktaturës.

Arritjet

Me anë të grupeve të infiltruara dhe burimeve të tjera, është arritur një mbulim i përgjithshëm i objektivave të inteligjencës në Shqipëri. Me anë të fushatave të përqendruara të transmetimeve klandestine radio dhe broshurave të lëshuara nga ajri kemi krijuar një atmosferë më të mirë ku agjentët tanë të veprojnë. Gjatë vitit 1953 kami kryer rreth 20 infiltrime dhe 75 kontakte radio me agjentët. Kemi lëshuar çdo muaj tekste propagande, ashtu si dhe furnizime për agjentët në terren./ Memorie.al