E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gazetari amerikan vë me ‘shpatulla pas murit’ Ramën për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin
Lajme

Gazetari amerikan vë me ‘shpatulla pas murit’ Ramën për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin

Kryeministri Edi Rama është vënë përballë një serie pyetjesh të drejtpërdrejta për korrupsionin dhe personat e përfshirë në hetime gjatë një interviste me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, të platformës mediatike “Channel 5”.

Gjatë bisedës, gazetari amerikan ka sjellë në vëmendje rastin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për komunikimet dhe lidhjet e dyshuara me Ergys Agasin.

Sipas dyshimeve të ngritura nga prokuroria, Hyseni ka pasur komunikime të shpeshta me Agasin, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet. Pikërisht ky rast është përdorur nga Callaghan për të vënë në diskutim përgjegjësinë politike dhe qëndrimin e kryeministrit për zyrtarët që përballen me akuza të kësaj natyre.

Por në vend që t’i përgjigjej drejtpërdrejt çështjes së ngritur, Rama ka kundërshtuar mënyrën se si gazetari po i lidhte temat, duke e pyetur se çfarë lidhjeje kishte rasti i ish-drejtoreshës së SHISH me investimet në bregdet.

Përballë kësaj përgjigjeje, Callaghan e ka ndërprerë kryeministrin për të sqaruar se nuk po jepte vetë një verdikt për fajësinë e personave të përmendur, por po fliste për individë që janë vënë nën hetim apo masa sigurie për dyshime që lidhen me korrupsionin.

Gazetari ka vijuar duke e pyetur Ramën nëse raste të tilla duhen konsideruar thjesht si përgjegjësi individuale apo nëse ato ngrenë pikëpyetje më të gjera për funksionimin dhe përgjegjësinë e qeverisjes.

Në një moment të debatit, kryeministri i është përgjigjur me deklaratën: “Mendoj se nuk të takon ty të thuash kush është i korruptuar dhe kush nuk është”, duke shmangur një përgjigje konkrete për çështjen e ngritur nga gazetari.

Përplasja verbale mes tyre nxori në pah vështirësinë e Ramës për të orientuar bisedën drejt temës që dëshironte, ndërsa gazetari amerikan këmbënguli të merrte një përgjigje për rastet konkrete të zyrtarëve dhe personave të lidhur me pushtetin.

Pjesë nga dialogu mes Edi Ramës dhe Andrew Callaghan:

Rama: “Mendoj se nuk të takon ty të thuash kush është i korruptuar dhe kush nuk është.”

Gazetari: “Nuk po them unë kush është i korruptuar. Po flas për persona të arrestuar nën dyshimet për korrupsion. Për shembull, drejtuesja e shërbimeve të inteligjencës, më pak se dy javë më parë, u vu nën masë sigurie për shkak të një marrëdhënieje me një person të lidhur me krimin e organizuar.”

Rama: “Nuk e di pse i përzien gjërat. Çfarë lidhje ka kjo tani me investimin në bregdet?”

Gazetari: “Po i përgjigjem asaj që thatë për faktin se nuk po i quaj unë njerëzit të korruptuar. Po flas për persona të përballur me akuza për korrupsion. A mendoni se kjo është thjesht çështje e përgjegjësisë individuale?”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.