E pyeti për Ballukun dhe korrusionin, Rama shpërthen ndaj gazetarit amerikan
Kryeministri Edi Rama është përballur me një tjetër moment të tensionuar gjatë intervistës me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, të platformës “Channel 5”, këtë herë për akuzat e korrupsionit që rëndojnë mbi zyrtarë të qeverisë së tij, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë bisedës, Callaghan e ka pyetur drejtpërdrejt kreun e qeverisë se si ndihet për korrupsionin në administratën që drejton. Pyetja erdhi pasi Rama kishte këmbëngulur më herët se përgjegjësia për rastet e korrupsionit duhet të jetë individuale dhe jo të përgjithësohet për të gjithë qeverinë.
Por, në vend që të ndalej te pyetja dhe të shprehte qëndrimin e tij, Rama reagoi me tone të ashpra, duke kundërshtuar mënyrën se si gazetari po e drejtonte intervistën.
“Po të pyes se si ndihesh”, i tha Callaghan kryeministrit, duke kërkuar një përgjigje përtej argumentit të përgjegjësisë individuale.
Rama iu përgjigj se nuk ishte aty për të ndarë emocionet e tij me gazetarin, por për t’iu përgjigjur fakteve.
Debati u bë edhe më i drejtpërdrejtë kur kryeministri e pyeti Callaghan se çfarë synonte të përcillte te audienca e tij dhe nëse kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara për të bërë thashetheme në Shqipëri.
Ndërkohë, gazetari amerikan vijoi me pyetjet për korrupsionin, ndërsa gjatë dokumentarit u shfaqën edhe akuzat penale ndaj disa zyrtarëve të qeverisë Rama, përfshirë ato që lidhen me Belinda Ballukun.
Në vijim, kryeministri i kërkoi gazetarit të tregonte respekt për kohën që po i kushtonte intervistës, duke theksuar se ishte i gatshëm ta mirëpriste me respekt, por se koha e tij duhej përdorur për pyetje që, sipas tij, trajtonin faktet.
Pavarësisht këmbënguljes së Callaghan, Rama nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për pyetjen se si ndihet për korrupsionin në radhët e qeverisë së tij.
Pjesë nga dialogu mes Edi Ramës dhe Andrew Callaghan:
Gazetari: “Po të pyes se si ndihesh”.
Rama: “Nuk jam këtu për të ndarë ndjenjat e mia me ty djalosh. Jam këtu për t’iu përgjigjur fakteve”.
Rama: “Çfarë do t’i thuash audiencës? Ke ardhur këtu nga Amerika për çfarë? Për të bërë thashetheme me mua këtu?”
Gazetari: Vijoi me pyetjet lidhur me korrupsionin, ndërsa në pamjet e dokumentarit shfaqeshin akuzat penale ndaj zyrtarëve të qeverisë, mes tyre edhe Belinda Balluku.
Rama: “Unë jam këtu për të të mikpritur me respekt, po të jap ty kohën time të çmuar dhe ti duhet ta përdorësh kohën time me respekt”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



