Aksident në rrugën e Arbrit, përplasen dy automjete në Klos, lëndohen dy drejtuesit
Një aksident rrugor është regjistruar në orët e para të ditës së sotme në aksin që lidh Matin me Rrugën e Arbrit, në fshatin Fshat të Klosit.
Dy automjete, një tip “Benz” dhe një “Volkswagen”, janë përplasur pak metra larg rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në të dyja makinat.
Si pasojë, kanë mbetur të lënduar drejtuesit e dy automjeteve, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dy ditë më parë, në këtë segment u shënuan tre aksidente në harkun kohor të 30 minutave.
Drejtuesit e mjeteve ngrenë shqetësimin për sigurinë në këtë aks, duke deklaruar se sa herë ka reshje shiu, asfalti bëhet tepër i rrëshqitshëm dhe automjetet humbasin kontrollin. Sipas tyre, shkak për këtë problematikë është sipërfaqja e lëmuar e asfaltit.
“Këtu është asfalt vdekjeje, nuk është asfalt makine”, thotë një drejtues mjeti.
Sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, që prej ndërtimit të këtij aksi janë regjistruar dhjetëra aksidente, kryesisht në ditët me lagështi, kur automjetet përballen me vështirësi për të ruajtur kontrollin për shkak të rrëshqitjes në asfalt.




