Cristiano Ronaldo Junior ka marrë ftesën e tij të parë zyrtare në Kombëtaren U-17 të Portugalisë, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij të futbollit.
Djali i legjendës Cristiano Ronaldo është përfshirë në listën me 23 lojtarë të publikuar nga trajneri Filipe Ramos, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian U-17, që do të zhvillohen gjatë muajit nëntor.
16-vjeçari, i cili aktivizohet në akademinë e Al Nassr në Arabinë Saudite, ka regjistruar deri më tani tre gola në shtatë paraqitje me klubin. Ndërkohë, në ekipet zinxhir të Portugalisë, ai numëron 13 ndeshje dhe pesë gola me përfaqësueset U-15 dhe U-16.
Cristianinho do të ketë mundësinë të debutojë me fanellën e Portugalisë U-17 në një mini-turne kualifikues, që do të zhvillohet në qendrën stërvitore Cidade do Futebol në Oeiras. Portugalia do të përballet me Andorrën, Bullgarinë dhe Serbinë, duke nisur nga 11 nëntori.
Kjo ftesë shënon një moment të veçantë për të riun, i cili po ndjek gjurmët e të atit në botën e futbollit. Ndërkohë, tifozët kanë nisur të ëndërrojnë për një moment historik në të ardhmen: atë kur Cristiano Ronaldo dhe djali i tij mund të ndajnë të njëjtin fushë si futbollistë profesionistë, përpara se CR7 t’i japë fund karrierës së tij.
