E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjyqi ndaj Veliajt, kryebashkiaku refuzon të shkojë në seancë
Lajme

Gjyqi ndaj Veliajt, kryebashkiaku refuzon të shkojë në seancë

Erion Veliaj nuk do të paraqitet fizikisht në seancën e parë të gjykimit në themel ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë. Kryebashkiaku i Tiranës ka vendosur të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa përfaqësimi i tij do të bëhet përmes avokatëve mbrojtës.

Seanca është caktuar të zhvillohet këtë të martë, në orën 10:45, ku pritet të nisë shqyrtimi në themel i çështjes ndaj Veliajt dhe personave të tjerë të përfshirë në proces.

Sipas burimeve, vendimi i Veliajt për të mos marrë pjesë lidhet me kundërshtimin e tij ndaj mënyrës se si zhvillohet procesi gjyqësor. Ai ka mbajtur më herët qëndrimin se do të ishte i pranishëm fizikisht vetëm nëse do t’i jepej mundësia ta ndiqte seancën jashtë kafazit të qelqtë.

Letra drejtuar gjykatës, Veliaj kërkon të lexohet në sallë

Në vend të paraqitjes fizike, Veliaj i ka përcjellë trupit gjykues një shkresë, përmes së cilës ka kërkuar që qëndrimi i tij të bëhet publik gjatë seancës.

Në përmbajtjen e letrës, sipas informacioneve të bëra publike, janë përmbledhur pretendimet dhe qëndrimet që kryebashkiaku ka artikuluar gjatë 24 orëve të fundit, veçanërisht lidhur me mesazhet kërcënuese që pretendon se i janë përcjellë nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë.

Veliaj i ka kërkuar gjykatës që dokumenti të lexohet gjatë seancës, duke argumentuar se kjo do t’i shërbente transparencës së procesit dhe vlerësimit ligjor të pretendimeve të tij.

Tashmë pritet të shihet se si do të veprojë trupi gjykues lidhur me kërkesën e kryebashkiakut dhe çfarë zhvillimesh do të sjellë seanca e parë e gjykimit në themel.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.