E martë, 3 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Tronditet futbolli/ U përplas gjatë ndeshjes, lojtari vdes një ditë më pas

Futbolli spanjoll është tronditur nga një lajm tragjik. Sulmuesi i CD Tenerife-s, Jesús de Miguel, ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare, një ditë pasi pësoi një përplasje të rëndë gjatë ndeshjes kundër FC Andorrës.

Lajmi i hidhur është konfirmuar këtë të martë, më 3 nëntor, nga klubi i Tenerife-s, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të futbollistit, i cili ishte shtruar me urgjencë në spital pas incidentit.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, në minutat shtesë të takimit mes Tenerife-s dhe Andorrës, kur De Miguel u përplas me portierin kundërshtar, Jesús Owono, gjatë një aksioni për topin.

Portieri i Andorrës doli larg portës për të larguar topin, por në përpjekjen e tij goditi sulmuesin spanjoll në zonën e kraharorit me gju. De Miguel u rrëzua menjëherë në fushë dhe humbi ndjenjat, duke shkaktuar panik te futbollistët e të dyja skuadrave.

Reklamë

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë, ndërsa sulmuesi u transportua me ambulancë drejt spitalit Universitar Nuestra Señora de Candelaria, në Tenerife.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, gjatë transportimit drejt spitalit futbollisti pësoi arrest kardiorespirator dhe iu nënshtrua manovrave të reanimimit. Fillimisht, klubi bëri të ditur se gjendja e tij ishte e rëndë, por e qëndrueshme, përpara se të njoftonte përkeqësimin neurologjik gjatë orëve të para të së martës.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, De Miguel nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

Për shkak të incidentit, ndeshja u ndërpre përfundimisht në minutën e 108-të, në një moment kur rezultati ishte 2-2. Portieri Jesús Owono u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes.

Jesús de Miguel ishte pjesë e Tenerife-s dhe luante në repartin ofensiv. Ai ishte vetëm 30 vjeç dhe vdekja e tij ka shkaktuar pikëllim të madh në klubin spanjoll dhe në komunitetin e futbollit.

Një ngjarje tragjike që rikthen në vëmendje rreziqet dhe brishtësinë e jetës në fushat e futbollit. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë komunitetit të CD Tenerife-s.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.