Dikur një dukuri e rrallë, prania e flamingove në liqenin e Pogradecit po bëhet gjithnjë e më e zakonshme vitet e fundit, duke i dhuruar qytetit dhe vizitorëve pamje të veçanta natyrore.
Gjatë periudhave të shtegtimit, në vjeshtë dhe pranverë, këta shpendë ndalen në brigjet e liqenit të Ohrit, ku qëndrojnë për disa ditë në tufa të vogla përpara se të vijojnë udhëtimin drejt habitateve të tjera.
Bëhet fjalë kryesisht për flamingo të rinj, të cilët përdorin liqenin si një pikë pushimi gjatë rrugës së gjatë të shtegtimit, përpara se të mbërrijnë në lagunat bregdetare shqiptare, si Narta dhe Divjakë-Karavastaja.
Një prej zonave ku ata janë vërejtur më shpesh është hapësira nga Driloni deri në Tushemisht. Tërheqja e nivelit të ujit në këtë pjesë të liqenit ka krijuar hapësira të cekëta, të përshtatshme për qëndrimin dhe ushqimin e këtyre shpendëve.
Prania e flamingove po i shton një bukuri të veçantë peizazhit të Pogradecit, ndërsa shfaqja e tyre e përsëritur po e kthen këtë fenomen nga një ngjarje të pazakontë në një pamje gjithnjë e më të njohur për banorët dhe turistët.
Një tjetër dëshmi e pasurisë natyrore të liqenit të Ohrit, që vazhdon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve dhe adhuruesve të natyrës.
