Patentat do të kthehen pas tetë ditësh, por ndalimi i drejtimit mbetet në fuqi

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’ua kthejë patentë-shoferët personave të cilëve ua kishte marrë përkohësisht, kur afati ligjor tetëditor i mbajtjes së tyre ka përfunduar.

Vendimi vjen pas aktgjykimit P. A. nr. 29/2026 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të nxjerrë më 20 tetor 2026 dhe të pranuar nga Policia më 2 nëntor. Gjykata e shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes.

Të lidhura

None found

Sipas sqarimit të Policisë, aktgjykimi nuk prek mundësinë e vendosjes së masës mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të automjetit dhe nuk anulon masat që janë shqiptuar më herët. Ato mbeten aktive deri në skadimin e periudhës së përcaktuar për secilën masë.

Efekti i vendimit kufizohet te mbajtja fizike e patentë-shoferit nga Policia. Në bazë të nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme, kjo mbajtje nuk mund të kalojë tetë ditë.

Policia nënvizon se kthimi i patentës nuk i jep shoferit leje të drejtojë automjetin nëse ndaj tij është ende në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit.

Drejtimi i automjetit gjatë zbatimit të kësaj mase përbën kundërvajtje. Neni 246 i Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor parasheh gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Policia e Kosovës njoftoi se do të vijojë kontrollet në trafik dhe verifikimin, përmes evidencave përkatëse, të masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore, me synimin për të garantuar sigurinë rrugore.


Shtuar më 3.11.2026 11:30

Quantcast