Inteligjenca artificiale trondit Wall Street, bursat humbin 2.5 trilionë dollarë

Euforia e inteligjencës artificiale po i lë vendin frikës në Wall Street. Më shumë se 2.5 trilionë dollarë janë fshirë nga vlera e tregut e kompanive të indeksit Nasdaq 100 gjatë tetorit, ndërsa investitorët po vënë në pikëpyetje nëse shpenzimet marramendëse të gjigantëve teknologjikë do të gjenerojnë fitimet e premtuara.
Indeksi Nasdaq 100, ku përfshihen kompanitë më të mëdha teknologjike amerikane, pësoi një nga muajt më të dobët të viteve të fundit, duke iu afruar territorit të korrigjimit, që nënkupton një rënie prej të paktën 10% nga niveli më i lartë.
Sipas Reuters, rezultatet financiare të kompanive të mëdha teknologjike kanë intensifikuar shqetësimet për kthimin e investimeve miliardëshe në inteligjencën artificiale, ndërsa rritja e kostove të financimit po ushtron presion shtesë mbi planet e zgjerimit.
Alphabet, kompania mëmë e Google, regjistroi rënien më të madhe ditore të aksioneve në historinë e saj, pas rezultateve zhgënjyese në aktivitetin e reklamave në kërkimin online dhe përshpejtimit të shpenzimeve.
Meta Platforms shtoi shqetësimet e investitorëve me planet për të siguruar 97.5 miliardë dollarë financim, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që zgjerimi i investimeve në inteligjencën artificiale mund të ketë te aksionerët.
Edhe Amazon dhe Intel u përballën me shitje të forta të aksioneve. Intel humbi rreth 29% të vlerës në një seancë të vetme, pas paralajmërimeve për dobësimin e tregut të kompjuterëve dhe shpenzimet e larta.
Presioni vazhdoi edhe në fillim të nëntorit. Aksionet e Oracle ranë 8.6% të hënën, pasi kompania njoftoi planet për të siguruar 20 miliardë dollarë përmes emetimit të aksioneve dhe obligacioneve.
Investimet në inteligjencën artificiale po arrijnë përmasa të paprecedenta. JPMorgan parashikon që shpenzimet globale kapitale për këtë teknologji të arrijnë në 5.5 trilionë dollarë deri në vitin 2030, ndërsa vetëm për vitin 2026 vlerësohen rreth 900 miliardë dollarë.
Megjithatë, rezultatet nuk kanë qenë njëtrajtësisht negative. Microsoft ka raportuar përfitime nga investimet në inteligjencën artificiale, ndërsa aktiviteti i shërbimeve cloud të Amazon ka vijuar të zgjerohet.
Shitjet e aksioneve po shoqërohen me një rishikim të pritshmërive për kompanitë që kanë udhëhequr rritjen e bursave amerikane.
Vëmendja tashmë është zhvendosur te rezultatet e ardhshme financiare dhe aftësia e gjigantëve teknologjikë për të përballuar investimet e mëdha, në një periudhë kur kostot e huamarrjes mbeten të larta dhe investitorët po kërkojnë kthime më të shpejta nga kapitali.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









