BE dhe Britania drejt heqjes së kontrolleve tregtare, marrëveshje e re pas Brexit

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë arritur një projektmarrëveshje për eliminimin e shumicës së kontrolleve tregtare dhe procedurave burokratike për produktet ushqimore dhe bujqësore, duke hapur rrugën për lehtësimin më të rëndësishëm të tregtisë mes dy palëve që nga Brexit.
Dokumenti prej rreth 200 faqesh synon të heqë kontrollet veterinare, certifikatat dhe një pjesë të konsiderueshme të dokumentacionit që u vendos pasi Britania u largua nga tregu i përbashkët europian.
Sipas BBC, teksti i marrëveshjes, i njohur si marrëveshja sanitare dhe fitosanitare (SPS), u është shpërndarë vendeve anëtare të BE-së për shqyrtim, përpara takimit të planifikuar të përfaqësuesve të tyre në Bruksel.
Marrëveshja do të mbulojë tregtinë e mishit, produkteve të qumështit, ushqimeve të përpunuara, produkteve bujqësore dhe mallrave të tjera që aktualisht u nënshtrohen kontrolleve kufitare.
Për eksportuesit britanikë, ndryshimet pritet të eliminojnë nevojën për certifikata shëndetësore të eksportit, të cilat kushtojnë rreth 200 paund, si dhe certifikata fitosanitare me kosto rreth 25 paund.
Do të hiqen gjithashtu një sërë tarifash për inspektimet, kontrollet në porte, certifikimin e produkteve organike dhe procedura të tjera që kanë rënduar mbi bizneset që prej daljes së Britanisë nga BE-ja.
Sektori ushqimor britanik ka qenë ndër më të prekurit nga barrierat e reja tregtare. Eksportet ushqimore drejt tregut europian kanë rënë me rreth një të tretën krahasuar me vitin 2019.
Kostot e certifikimit dhe vonesat në kufi kanë vështirësuar veçanërisht aktivitetin e bizneseve të vogla, për të cilat dërgesat me vlerë të ulët janë bërë më pak ekonomike.
Marrëveshja do të lehtësojë edhe qarkullimin e mallrave mes Britanisë dhe Irlandës së Veriut, duke reduktuar kontrollet dhe disa kërkesa për etiketimin e produkteve.
Në këmbim të heqjes së barrierave, Britania do të duhet të përafrojë vazhdimisht standardet e saj ushqimore dhe bujqësore me rregullat e Bashkimit Europian.
Megjithatë, marrëveshja nuk është miratuar ende përfundimisht. Teksti duhet të shqyrtohet nga vendet anëtare dhe të kalojë procedurat përkatëse përpara hyrjes në fuqi.
Zbatimi, që fillimisht ishte parashikuar për vitin 2027, pritet të shtyhet deri në tremujorin e parë të vitit 2028.
Paralelisht, Londra dhe Brukseli po negociojnë edhe për lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit dhe një program të ri lëvizshmërie për të rinjtë.
Dokumentet e këtyre marrëveshjeve janë shpërndarë gjithashtu për diskutim përpara samitit të ardhshëm mes Britanisë dhe Bashkimit Europian, të planifikuar gjatë nëntorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









