“Je transferuar me urdhër të Ramës”, zbardhet letra e Veliajt drejtuar GJKKO-së
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Posaçme për të hetuar rrethanat e transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit. Në një letër drejtuar gjyqtares së GJKKO-së, Veliaj pretendon se vendimi për lëvizjen e tij është marrë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë veprim të paligjshëm.
Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore, ku është përfaqësuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Përmes letrës, ai ka rikthyer në vëmendje edhe përgjigjen që pretendon se ka marrë nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, lidhur me arsyet e transferimit.
Sipas versionit të paraqitur nga kryebashkiaku, gjatë komunikimit të zhvilluar të premten, Gogu i ka thënë se transferimi ishte kryer me urdhër të Edi Ramës. Veliaj pretendon se një ndërhyrje e tillë nga kreu i qeverisë nuk kishte bazë ligjore dhe i kërkon gjykatëses të verifikojë se kush e ka dhënë realisht urdhrin dhe mbi çfarë kompetencash është mbështetur.
Në letrën e tij, Veliaj përdor tone të forta, duke e cilësuar transferimin si një veprim të kryer në mënyrë të paligjshme dhe duke kërkuar një hetim të plotë për çështjen.
Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit u krye në fund të muajit tetor, me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ky veprim u shoqërua me reagime dhe kundërshtime nga ana e kryebashkiakut, i cili ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e procedurës.
Një ditë më parë, Veliaj kishte folur gjithashtu për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, duke pretenduar se ai i kishte përcjellë një mesazh nga kryeministri Edi Rama.
Sipas pretendimeve të Veliajt, në këtë komunikim ishte diskutuar edhe për përfshirjen e tij të mundshme në protestat e studentëve dhe të lëvizjes së njohur si “Flamingot”, dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe ndërprerjen e konsultimeve me avokatin Plarent Ndreca.
Tashmë, përmes letrës së fundit, Veliaj kërkon që GJKKO të verifikojë pretendimin për urdhrin e kryeministrit dhe të hetojë përgjegjësitë për transferimin e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier.
Letra e Veliajt:
E nderuar znj. gjykatëse,
Siç jeni vënë në dijeni nga Avokati i Popullit, jam rrëmbyer nga paraburgimi i Durrësit pa u kryer urdhri sekret.
Përgjigjen e mora të premten nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Më tha se janë transferuar me urdhër të Ramës.
Ta dija, për nder se do më shtoheshin akuza të tjera për prishjen e rendit kushtetues, urdhri i Kryeministrit është i paligjshëm.
Kërkoni hetim të plotë, të thellë dhe të provuar.
Po e lë në dorën tuaj!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



