Shtyhet Panairi i Librit në Tiranë
Panairi i 29-të i Librit në Tiranë nuk do të zhvillohet në datat e parashikuara, nga 11 deri më 15 nëntor. Situata e tensionuar për shkak të protestave në kryeqytet ka detyruar organizatorët të marrin vendimin për shtyrjen e një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit.
Përmes një njoftimi drejtuar botuesve dhe ekspozuesve, organizatorët bëjnë të ditur se kushtet aktuale nuk garantojnë zhvillimin normal të panairit. Sipas tyre, organizimi në këtë situatë do të shoqërohej me pasiguri, kryesisht për shkak të mungesës së mundshme të vizitorëve, lexuesve dhe veçanërisht të fëmijëve e të rinjve, që çdo vit i japin jetë kësaj ngjarjeje.
Vendimi është marrë pas konsultimeve me botues dhe përfaqësues të botës së librit, ndërsa organizatorët theksojnë se po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të panairit në një tjetër periudhë.
Ende nuk ka një datë të re, por pjesëmarrësit pritet të njoftohen gjatë ditëve në vijim.
Kështu, takimi i përvitshëm mes autorëve, botuesve dhe lexuesve do të duhet të presë, ndërsa mbetet e paqartë se kur libri do t’i rikthehet qendrës së vëmendjes në kryeqytet.




