Ndihmuan Ergys Agasin në arrati/ Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për Fatjon Kalluçin, ndryshon masën për Embro Sulejmanin

Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi masën e sigurisë së arrestit në burg për Fatjon Kalluçin, ish-përgjegjës i Policisë Shkencore, i cili u arrestua nën akuzën se ka nxerrë dokumente sekrete për të ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim nga SPAK.

Ndërkohë, për Embro Sulejmanin, punonjës i Agroturizëm “Kodra e Kuajve”, Apeli i GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë duke e lënë në “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Të lidhura

None found

Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, pasi ka fshirë kamerat e sigurisë në vende ku Agasi ka frekuentuar gjatë arratisë.

Kujtojmë që lidhur me këtë çështje, GJKKO, me kërkesë të SPAK, vendosi dy masa sigurie ndaj ish kryetares së SHISH, Vlora Hyseni, “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike”.

Ajo dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin me informacione shtetërore teksa ndodhej në arrati.

NJOFTIMI:

1. Miratimin e Vendimit nr. 67, datë 21.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z.E.S.

2. Ndryshimin e Vendimit nr. 70, datë 24.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z. E.S.

3. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj Z. E.S..

4. Urdhërimin e Z. E.S. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin paraprak të gjykatës.

5. Ndalimin e përdorimit të dokumenteve identifikuese për daljen jashtë shtetit të Z. E.S. pa autorizimin paraprak të gjykatës.

6. Caktimin ndaj Z. E.S. të masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale.

7. Detyrimin e Z. E.S. të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 09:00, para oficerit të policisë gjyqësore që heton çështjen si dhe sa herë të thirret nga organet proceduese në vijim të procedimit penal.

8. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të Z. E.S., nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.

9. Miratimin e Vendimit nr. 70, datë 24.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z. F.K.

10. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

11. Në bazë dhe për zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake.

12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Tiranë, me datë 03.11.2026.


Shtuar më 3.11.2026 13:08

Quantcast