“Kam parë BE-në që s’ka mbajtur premtimet e veta”, Rama: Kemi probleme, por po punojmë që t’i zgjidhim
Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Zgjerimit të Euronews në Bruksel, foli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke u ndalur te sfidat dhe reformat që vendi duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Euronews, Rama u shpreh se Shqipëria po punon në bazë të një plani të përbashkët me Komisionin Europian, me synimin për të përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Sa i përket problematikave të evidentuara në raportet e BE-së, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, sistemin gjyqësor dhe ekuilibrin e pushteteve, kreu i qeverisë pranoi se vendi vijon të ketë sfida, por theksoi se reformat janë të domosdoshme për ndërtimin e një demokracie funksionale.
Rama: Kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Unë shoh afate që janë fashitur rrugës, kam parë se si BE nuk ka realizuar premtimet e veta. Kam parë se BE është i aftë të realizojë dhe më shumë se ç’pret. Nuk i dihet kurrë me BE-në. Nuk e di. Ajo që di është se ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur nga Komisioni për të përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Gjithçka po ecën në përputhje me planin.
Gazetarja: Krahasuar me raportin e vitit të kaluar, thuajse Shqipëria është në rrugën e duhur, po kryen reforma, por fushat me mangësi janë korrupsioni, gjyqësori, ekuilibri i pushteteve. Mund të shihni diçka që mendoni se do të ndryshojë në këtë raport apo mendoni se do të mbetet e njëjta gjë?
Rama: Nëse nuk do të kishim probleme, do të ishim si Zvicra. Por pikërisht sepse kemi probleme dhe çështje me të cilat duhet të përballemi, jemi në një fazë ku ende nuk jemi gati për të qenë anëtarë me të drejta të plota. Procesin për t’u shndërruar në shtete me demokraci funksionale duhet ta bëjmë për hir të fëmijëve tanë. Kemi probleme dhe po punojmë për t’i zgjidhur ato. Është një bekim i madh të jesh në zemër të Evropës dhe të vish nga një histori aq mizore prej së cilës kemi ardhur, që nuk do të na lejonte t’i bënim të gjitha këto transformime nëse nuk do të kishim mundësinë e BE-së përpara vetes. Ky është ndryshimi. Pse nuk funksionon në Afganistan, Irak, në vende të tjera?




