Granit Xhaka do të rikthehet në përfaqësuesen e Zvicrës për ndeshjet e muajit nëntor, duke lënë pas periudhën e pezullimit pas skandalit me certifikatën e falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19. Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur t’i japë një tjetër mundësi mesfushorit shqiptar, i cili do të vazhdojë të jetë edhe kapiten i skuadrës.
Krahas Xhakës, në planet e trajnerit Murat Yakin është rikthyer edhe sulmuesi Breel Embolo, pasi të dy futbollistët ishin lënë jashtë kombëtares për shkak të kësaj çështjeje.
Ata u dënuan me nga 150 mijë franga zvicerane gjobë me kusht, me një periudhë prove prej dy vitesh. Xhaka kishte pranuar publikisht përgjegjësinë dhe kishte kërkuar falje për veprimin e tij, duke e cilësuar atë si një gabim.
Drejtori i përfaqësueses, Pierluigi Tami, bëri të ditur se vendimi për rikthimin u mor pas shqyrtimit të rrethanave, procedurave ligjore dhe pasojave sportive.
“Jemi të bindur se rikthimi i tyre në ekipin kombëtar në nëntor është i përgjegjshëm dhe vendimi i duhur”, deklaroi Tami.
Ndërkohë, Federata ka konfirmuar se Xhaka do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit. Vendimi është marrë unanimisht nga trajneri Yakin, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve, duke konfirmuar besimin te mesfushori shqiptar.
