Zgjedhjet në SHBA, kur priten rezultatet e para dhe cilat gara do të jenë vendimtare?

3 Nëntor 2026 | 14:30

Miliona amerikanë po votojnë sot në zgjedhjet e mesmandatit, ku do të përcaktohet përbërja e re e Kongresit dhe drejtimi politik i vendit për 2 vitet e ardhshme.

Sipas Associated Press (AP), votuesit do të vendosin për mijëra gara në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përfshirë vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe postet e guvernatorëve.

Qendrat e para të votimit do të mbyllen në orën 18:00 sipas kohës së bregdetit lindor amerikan, përkatësisht në mesnatë sipas orës evropiane.

Rezultatet e para pritet të vijnë nga Indiana dhe Kentucky, ndërsa vëmendja do të përqendrohet më pas te shtetet ku zhvillohen gara të ngushta ndërmjet republikanëve dhe demokratëve.

Në orën 01:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, mbyllen qendrat e votimit në Georgia, South Carolina dhe Virginia, ndërsa 30 minuta më vonë përfundon votimi edhe në North Carolina, Ohio dhe West Virginia.

Këto shtete zakonisht i numërojnë votat relativisht shpejt. Në zgjedhjet e vitit 2024, Georgia kishte përfunduar numërimin e 90% të votave deri në orën 22:21 sipas kohës lokale të bregdetit lindor amerikan.

Në orën 02:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, mbyllen plotësisht ose pjesërisht qendrat e votimit në pothuajse gjysmën e shteteve amerikane, përfshirë Florida, Maine, New Hampshire dhe Pennsylvania.

Një tjetër moment i rëndësishëm pritet në orën 03:00, kur përfundon votimi në 15 shtete, përfshirë Arizona, Michigan, New York, Texas dhe Wisconsin.

Në këto shtete zhvillohen gara të rëndësishme për Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve dhe postet e guvernatorëve.

Sipas AP-së, ritmi i numërimit ndryshon ndjeshëm nga një shtet në tjetrin. Florida njihet për publikimin e shpejtë të rezultateve, ndërsa në Michigan, Pennsylvania dhe Arizona procesi mund të zgjasë më shumë.

Në Arizona, megjithëse votimi përfundon në orën 03:00 sipas kohës së Kosovës, rezultatet e para nuk publikohen para orës 04:00.

Në Kaliforni rezultatet mund të vonohen disa ditë

Në orën 05:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, mbyllen qendrat e votimit në California dhe Washington.

Në këto 2 shtete, ku votimi zhvillohet kryesisht përmes postës, numërimi mund të vazhdojë për disa ditë pas zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e vitit 2024, rreth 38% e votave në California dhe 33% në Washington nuk ishin numëruar gjatë natës zgjedhore.

Sipas AP-së, në California do të pranohen fletëvotimet e dërguara me postë deri më 10 nëntor, nëse janë vulosur jo më vonë se dita e zgjedhjeve. Në Washington, afati për pranimin e tyre është 23 nëntori.

Qendrat e fundit të votimit në SHBA do të mbyllen në orën 07:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, në ishujt Aleutian të Alaskës.

Megjithatë, shpallja e fituesve në disa gara mund të kërkojë më shumë kohë, veçanërisht në shtetet ku diferenca ndërmjet kandidatëve është e vogël.

Zgjedhjet e mesmandatit konsiderohen një provë e rëndësishme politike për presidentin Donald Trump, pasi rezultati do të përcaktojë raportin e forcave ndërmjet republikanëve dhe demokratëve në Kongres gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aksidenti hekurudhor në Spanjë, identikohen 69 viktimat: 54 spanjollë dhe 15 të huaj

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se kanë identifikuar të 69 viktimat nga përplasja e trenit me shpejtësi të lartë javën e kaluar. Një organ ligjor i...
14:15 | 03/11/2026

Kryeministri kroat: Zgjedhjet franceze mund të pengojnë zgjerimin e BE-së

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç gjatë fjalës së tij në Euronews Enlargement Summit në Bruksel tha se euroskepticizmi në rritje në politikën franceze është një pengesë e mundshme...
14:05 | 03/11/2026

Presidentja e Maqedonisë së Veriut kundërshton kërkesat e Bullgarisë për ndryshime kushtetuese

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova këtë të martë ka deklaruar se shpresat e vendit të saj për anëtarësim në BE po mbahen peng...
13:47 | 03/11/2026