Pranohet garancia prej 1.140.781 eurosh, Përparim Bajrami do të dalë nga paraburgimi

Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka miratuar lirimin nga paraburgimi të Përparim Bajramit, të akuzuarit të parë në çështjen “Lotaria”, duke pranuar garancinë e ofruar në pasuri të paluajtshme me vlerë 1.140.781 euro.

Largimi i tij nga burgu i Shkupit do të bëhet pasi të përfundojë regjistrimi i hipotekës në Kadastër. Këtë e bën të ditur Gjykata në njoftimin e saj, të përcjellë nga TV21.

Të lidhura

None found

Mbrojtja e Bajramit e kishte paraqitur më 14 tetor kërkesën që masa e paraburgimit të zëvendësohej me garanci. Në shqyrtimin e saj, Këshilli Penal ka vlerësuar edhe kufirin kohor që ligji përcakton për paraburgimin në këtë rast. Gjykata sqaron se kjo masë nuk mund të tejkalojë 60 ditë. Meqë Bajrami ishte dorëzuar vullnetarisht më 9 shtator për zbatimin e masës, ky afat mbaron më 8 nëntor.

Vendimi mori formë të prerë sot, pasi si prokurori publik kompetent, ashtu edhe palët e tjera të përfshira në procedurë, hoqën dorë nga ankimi.

Për të garantuar pjesëmarrjen e Bajramit në procesin gjyqësor, krahas garancisë, Gjykata ka vendosur edhe masa kujdesi. Atij i hiqet pasaporta dhe i ndalohet marrja e një dokumenti të ri për kalimin e kufirit shtetëror, ndërsa duhet të paraqitet në Gjykatë në mënyrë të rregullt.

Aktakuza ndaj Bajramit u ngrit më 13 gusht nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”. Sipas njoftimit të Gjykatës, kjo vepër dënohet me deri në pesë vjet burg. Masa e paraburgimit ishte vendosur më parë me kërkesë të Prokurorisë, për shkak se Bajrami nuk ishte i arritshëm për organet e ndjekjes. Pranimi i garancisë dhe heqja e paraburgimit nuk e ndërpresin procesin gjyqësor ndaj tij, i cili do të vijojë.


Shtuar më 3.11.2026 14:37

Quantcast