Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka kritikuar ashpër situatën në kryeqytet, duke deklaruar se Tirana është kthyer në një qytet të vështirë për të jetuar, si pasojë e mungesës së menaxhimit dhe shërbimeve bazë. Tabaku u ndal edhe te përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas saj, kjo përplasje nuk lidhet me interesin publik, por me interesa politike dhe ekonomike.
“Për mua s’ka rëndësi fare lufta e tyre e brendshme. Për mua janë të dy të ikur. Për mua ka rëndësi që sot Tirana nuk ka menaxhim mbetjesh, nuk ka ujë 24 orë. Tirana është kthyer si një plaçkë politike”, deklaroi Tabaku në ”Report TV. Ajo theksoi se në këtë përplasje janë qytetarët ata që po përballen me pasojat, ndërsa të dyja palët, sipas saj, janë të përqendruara te interesat e tyre.
“Fatkeqësia është që në mesin e kësaj lufte, ndodhen qytetarët. Dhe asnjëri nga të dy, as Veliaj e as Rama nuk e kanë mendjen te qytetarët. Edhe kur ishte jashtë qelisë, e njëjta situatë ishte. Por sot po e përdor për interesat e veta politike. Ndërkohë që ky tjetri jashtë e do për lejet e ndërtimit”, u shpreh deputetja demokrate.
Tabaku ngriti gjithashtu akuza ndaj mënyrës së funksionimit të pushtetit vendor dhe qendror, duke e cilësuar përqendrimin e vendimmarrjes dhe të potencialit ekonomik në duart e një njeriu si një prej problemeve që, sipas saj, po rëndon mbi qytetarët. Një tjetër çështje e komentuar në intervistë ishte vizita e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në paraburgimin e Fierit, ku u takua me Veliajn.
“Këta operojnë si një organizatë kriminale, i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit, kërcënojnë. Fokusi për mua është te qytetarët e Tiranës”, deklaroi ajo. Në përfundim, deputetja e PD-së e lidhi pakënaqësinë dhe protestat e qytetarëve me modelin e qeverisjes së ndërtuar nga Rama, duke pretenduar se Veliaj ka pasur rol të rëndësishëm në krijimin dhe funksionimin e këtij sistemi politik. “Arsyeja pse njerëzit po protestojnë është edhe për sistemin e ngritur nga Rama, ku Veliaj ka qenë një nga lojtarët kryesorë, një nga kopjet kryesore të Ramës”.
