Mbi 10 miliardë lekë parashikohen të investohen gjatë periudhës 2025-2027 në sistemet e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet në Shqipëri. Sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, për këto tri fusha financohen çdo vit mbi 3 miliardë lekë.
Shifrat u bënë të ditura gjatë konferencës ndërkombëtare “ALBANIA WATER 2030”, ku u diskutua për menaxhimin e burimeve ujore, modernizimin e infrastrukturës së ujitjes dhe sfidat që ndryshimet klimatike paraqesin për bujqësinë.
Në aktivitet morën pjesë edhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ambasadori i Spanjës, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të CIHEAM Zaragoza dhe ekspertë të fushës.
Salla theksoi se modernizimi i bujqësisë kërkon investime afatgjata dhe politika të mbështetura në studime shkencore, me synimin për të përmirësuar shërbimet ndaj fermerëve dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e prodhimit.
“Çdo vit, financojmë mbi 3 miliardë lekë për këto tri fusha, me synimin për të përmirësuar shërbimin ndaj fermerëve dhe për të rritur qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor”, u shpreh ministri.
Duke folur për ndikimin e ndryshimeve klimatike, ai nënvizoi se ndërhyrjet nuk duhet të kufizohen vetëm në rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese. Sipas tij, nevojiten studime shkencore, analiza të bilanceve ujore dhe teknologji të përshtatura me kushtet specifike të secilës zonë.
Ministri përmendi si prioritete shtimin e kapaciteteve ujëmbledhëse dhe kalimin drejt sistemeve moderne të ujitjes me presion. Në këtë drejtim, ai solli si shembuj projektet e mbështetura nga Banka Botërore në Divjakë dhe në zonën Mursi-Konispol, si dhe ndërhyrjet në sistemet e kullimit në Maliq dhe Torovicë.
Një tjetër fokus i konferencës ishte bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës. Salla bëri të ditur se synohet krijimi i një partneriteti më të strukturuar, që do të përfshijë studime të përbashkëta, identifikimin e problematikave në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve.
“Kjo do të na ndihmojë të marrim vendime më të sigurta, të përdorim me më shumë efikasitet fondet publike dhe të sigurojmë që politikat tona t’u përgjigjen nevojave reale të sektorit”, theksoi ai.
Në përfundim, ministri nënvizoi se sfida mbetet shndërrimi i potencialit bujqësor të vendit në më shumë prodhim dhe mirëqenie për zonat rurale.