Shtatë persona të arrestuar, mbi 100 serverë të sekuestruar dhe 17 ambiente të kontrolluara. Ky është bilanci i një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarë në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve online. Aksioni është zhvilluar në disa shtete, mes tyre Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Qiproja, Finlanda dhe Izraeli, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.
Në Shqipëri, operacioni u koordinua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet e vendeve të tjera. Sipas njoftimit, autoritetet shqiptare kanë marrë pjesë në dy ekipe të përbashkëta hetimore të ngritura pranë Eurojust. Njëri ekip përfshinte Shqipërinë, Gjermaninë dhe Poloninë, ndërsa tjetri Shqipërinë dhe Kosovën.
Hetimet kanë zbuluar aktivitetin e një kompanie me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se u ofronte grupeve kriminale infrastrukturën e nevojshme për mashtrimin e investitorëve. Kompania dyshohet se krijonte faqe interneti të rreme për investime online, ndërsa klientë të saj janë identifikuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Këta të fundit dyshohet se administronin qendra telefonatash për të kontaktuar dhe mashtruar qytetarët.
Gjatë operacionit u kontrolluan 17 ambiente, përfshirë edhe një qendër telefonatash në Kosovë. Autoritetet sekuestruan më shumë se 100 serverë, si dhe prova dhe pasuri të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal. Shtatë persona u arrestuan me qëllim dorëzimin ose ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë.
Skema kishte në shënjestër qytetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilëve u premtoheshin fitime të mëdha brenda një kohe të shkurtër përmes investimeve në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Fillimisht, viktimave u shfaqeshin fitime të rreme në platformat online për të fituar besimin e tyre. Më pas, persona që paraqiteshin si ndërmjetës ushtronin presion psikologjik, duke i nxitur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha.
Mashtrimi zbulohej kur qytetarët kërkonin të tërhiqnin paratë. Në atë fazë, ata përballeshin me pengesa dhe justifikime të ndryshme, deri në momentin kur personat pas skemës zhdukeshin bashkë me paratë e investuara. Dëmi financiar i shkaktuar nga aktiviteti i dyshuar vlerësohet në më shumë se 4 milionë euro.
Hetimi nisi në vitin 2022, pas kallëzimit të një çifti gjerman, i cili kishte investuar kursimet në një platformë online, por nuk kishte arritur të tërhiqte fitimet e premtuara. Pas më shumë se katër vitesh hetime dhe disa aksionesh të koordinuara ndërkombëtare, autoritetet arritën te arrestimet dhe sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme provash.

