• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, November 3, 2026
  • Login
JavanewsJavanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
JavanewsJavanews
Home Kosova

U vra me armë 15 vjet më parë, Prokuroria ngre akuzë ndaj të dyshuarit! Historia tragjike e Diana Kastratit, detajet e një krimi dhe misteri

by A. Q
03/11/2026 16:45
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pasi ajo u vra me armë zjarri në Prishtinë.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, më 22 tetor 2026.

Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar në këtë rast pas një dekade e gjysmë dhe çfarë e ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.

Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë për arsyet e vonesës së aktakuzës, zhvillimet eventuale në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje.

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk konfirmoi nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.

Rasti i Diana Kastratit është kthyer në një shembull të dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.

Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që Gjykata Kushtetuese më vonë e konstatoi si shkelje të së drejtës për jetë.

Vrasja dhe kërkesa për mbrojtje që mbeti pa përgjigje

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.

Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.

Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.

Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.

Por, kërkesa mbeti pa përgjigje. Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.

Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.

Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për jetë

Në prill të vitit 2012, prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.

Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë.

Në aktgjykimin e saj, ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente.

Sipas Kushtetueses, ky mosveprim përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata konstatoi gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në aktgjykim përmendet edhe një masë disiplinore ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën e Dianës.

Nga konstatimi i shkeljes te dëmshpërblimi

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.

Në nëntor të vitit 2013, Gëzim dhe Makfire Kastrati ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre dhe mosveprimi i autoriteteve për ta mbrojtur.

Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore.

Megjithatë, pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.

Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.

Pse i dyshuari nuk është sjellë para drejtësisë?

Për vite me radhë, pamundësia e ekstradimit të të dyshuarit nga Spanja kishte qenë një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit të vrasjes së Diana Kastratit.

Në maj të vitit 2022, organizata QIKA raportoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.

Sipas QIKA-s, Prokuroria kishte pezulluar hetimet për këtë rast.

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ngritja e aktakuzës tani shënon një zhvillim të ri në rastin që ka mbetur pa epilog penal për 15 vjet.

Ajo, megjithatë, nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarit, i cili prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Aktakuza në kohën e një tjetër rasti që tronditi Kosovën

Aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit vjen në kohën kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Pejë, për të cilën dyshohet ish-kunati i saj.

Edhe Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nxorën në pah një varg lëshimesh në trajtimin e rastit.

Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.

Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar një kërkesë të hetuesit për rivlerësimin e rrezikut dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.

Pas vrasjes, një varg zyrtarësh policorë dhe prokurorësh u pezulluan nga detyra, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.

Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur pyetje për efektivitetin e institucioneve në mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë. /REL/

 

Next Post
Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet më 25 nëntor në Bruksel, në fokus integrimi dhe reformat

BE publikon nesër raportin e progresit për Shqipërinë: Përfundimi i negociatave në 2027, plotësisht i realizueshëm! Plan ambicioz dhe përparim

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet më 25 nëntor në Bruksel, në fokus integrimi dhe reformat

BE publikon nesër raportin e progresit për Shqipërinë: Përfundimi i negociatave në 2027, plotësisht i realizueshëm! Plan ambicioz dhe përparim

November 3, 2026
U vra me armë 15 vjet më parë, Prokuroria ngre akuzë ndaj të dyshuarit! Historia tragjike e Diana Kastratit, detajet e një krimi dhe misteri

U vra me armë 15 vjet më parë, Prokuroria ngre akuzë ndaj të dyshuarit! Historia tragjike e Diana Kastratit, detajet e një krimi dhe misteri

November 3, 2026
“Kontrolle gjatë gjithë vitit”- Spahiu: Nga 1 janari 2027, rrjetëzim i pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale me qendrat shëndetësore!

“Kontrolle gjatë gjithë vitit”- Spahiu: Nga 1 janari 2027, rrjetëzim i pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale me qendrat shëndetësore!

November 3, 2026
Trump prezanton sërish planet për ta riemërtuar Ngushticën e Hormuzit në “Ngushtica Trump”: Duket sikur po bëj shaka

Trump: Groenlanda është dhurata më e madhe që na ka dhënë Evropa

November 3, 2026
Konferenca Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, i pranishëm edhe ambasadori Wendt! Ibrahimaj: Prioritet, po ndërtojmë kapacitete për mbrojtjen!

Konferenca Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, i pranishëm edhe ambasadori Wendt! Ibrahimaj: Prioritet, po ndërtojmë kapacitete për mbrojtjen!

November 3, 2026
Ministri Maqedonci në Konferencën e Sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimet ruse

Ministri Maqedonci në Konferencën e Sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimet ruse

November 3, 2026
Banka e Shqipërisë e mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 2,5%, Sejko: Rritja e çmimeve vjen nga importet!

Banka e Shqipërisë e mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 2,5%, Sejko: Rritja e çmimeve vjen nga importet!

November 3, 2026
Protesta e studentëve, një grup marshon nga Politekniku te Ministria e Arsimit! Momente tensioni edhe me Policinë

Protesta e studentëve, një grup marshon nga Politekniku te Ministria e Arsimit! Momente tensioni edhe me Policinë

November 3, 2026
Në romancë me një avokat italian/ Moderatori i zbulon lidhjen Beniada Nishanit: Do ta nxjerr…!

FOTO/ Momenti romantik nga dhoma e gjumit, Beniada Nishani publikon për herë të parë partnerin!

November 3, 2026
Kryeministri Tofan: Moldavia dyshon se pas sulmit të madh kibernetik qëndron një aktor i huaj shtetëror

Kryeministri Tofan: Moldavia dyshon se pas sulmit të madh kibernetik qëndron një aktor i huaj shtetëror

November 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In