Fushë-Arrëzi, Klosi, Përrenjasi, Belshi, Këlcyra, Selenica, Libohova dhe tetë bashki të tjera do të mbyllin aktivitetin si njësi të veçanta të pushtetit vendor me hyrjen në fuqi të hartës së re territoriale. Por ndryshimi i kufijve administrativë nuk do të thotë se fondet e tyre do të humbasin. Përkundrazi, paratë e planifikuara për këto njësi do të transferohen te bashkitë që do t’i përthithin.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se kalimi i fondeve do të realizohet përmes një akti normativ, pas konstituimit të bashkive të reja, që pritet të ndodhë në shtator 2027. “Konstituimi i bashkive të reja do të ndodhë në muajin shtator dhe për tremujorin e fundit që do të mbetet nga viti, nëpërmjet një akti normativ, fondet të cilat janë të alokuara te bashkitë që do të përthithen do t’u kalojnë bashkive të cilat po i përthithin”, deklaroi Malaj.
Kështu, viti 2027 do të jetë i fundit që 15 bashkitë që parashikohet të shkrihen do të financohen si njësi më vete nga buxheti i shtetit. Për tre muajt e fundit të vitit, administrimi i fondeve do të kalojë te bashkitë pasardhëse. Ndryshimi territorial do të shoqërohet edhe me një rishikim të mënyrës se si shpërndahen paratë për pushtetin vendor. Ministria e Financave pritet të ndërhyjë në formulën e transfertës së pakushtëzuar, duke marrë në konsideratë numrin e ri të bashkive dhe synimin për t’u dhënë atyre më shumë autonomi financiare.
“Ne përgjatë vitit që vjen do të rishikojmë edhe formulën e shpërndarjes për sa i përket granteve të pakushtëzuara që u japim bashkive, pasi do të duhet të rishikohet edhe për vetë faktin sepse do të kemi një rishikim të numrit, por nga ana tjetër do të duhet që të fillojmë edhe të mendojmë për një autonomi më të madhe për sa i përket pushtetit vendor”, u shpreh ministri.
Për vitin 2027, shpenzimet për pushtetin vendor janë planifikuar në 114 miliardë lekë. Prej tyre, 56 miliardë lekë parashikohet të vijnë nga buxheti i shtetit. Aktualisht, ndarja e transfertës së pakushtëzuar mbështetet në disa kritere, ku përfshihen numri i banorëve, dendësia e popullsisë dhe numri i nxënësve. Në llogaritje merret gjithashtu edhe kapaciteti fiskal i secilës bashki për të gjeneruar të ardhura nga burimet e veta. Me kalimin nga 61 në 46 bashki, këto kritere do të duhet të përshtaten me realitetin e ri administrativ. Mbetet për t’u parë se si do të ndërtohet formula e re dhe çfarë peshe do të ketë secili tregues në ndarjen e fondeve mes bashkive të riorganizuara.
