Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, është takuar këtë të martë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Përmes një postimi në rrjetin social X, diplomatja bëri me dije se në fokus të bisedës ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe roli që duhet të luajë Kuvendi në këtë rrugëtim.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e miratimit të reformave, përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, si dhe garantimit të llogaridhënies së qeverisë.

De Sousa theksoi se përparimi drejt anëtarësimit në BE kërkon angazhimin e të gjitha palëve politike, ndërsa nënvizoi nevojën që Kuvendi të shërbejë si një hapësirë e vërtetë dialogu dhe bashkëpunimi.