Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të re për Groenlandën, duke e cilësuar ishullin si “dhuratën më të madhe” që Shtetet e Bashkuara kanë marrë ndonjëherë nga Evropa. Komenti vjen pas muajsh tensionesh lidhur me synimet e tij për të marrë kontrollin e territorit autonom, që i përket Mbretërisë së Danimarkës.
“Evropa ka qenë e mirë. Sapo i ka bërë SHBA-së dhuratën më të madhe që kemi marrë ndonjëherë. E dini se cila ishte? Groenlanda”, deklaroi Trump gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan Fox.
Fragmenti i intervistës u publikua edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në llogarinë e tij zyrtare në rrjetet sociale.
Në shtator, Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan një marrëveshje që synon t’u japë fund tensioneve të krijuara nga kërcënimet e përsëritura të Trump për marrjen e kontrollit të ishullit. Groenlanda ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit të saj gjeografik dhe pasurive të konsiderueshme minerare.
Marrëveshja parashikon zgjerimin e rolit të ushtrisë amerikane në ishull, duke hapur rrugën për krijimin e dy bazave të reja ushtarake dhe vendosjen e sistemit antiraketor “Golden Dome”, të promovuar nga Trump. Në të njëjtën kohë, dokumenti riafirmon sovranitetin danez mbi Groenlandën dhe të drejtën e banorëve të saj për vetëvendosje.
Projektligji që lidhet me marrëveshjen pritet të shqyrtohet në lexim të parë në Parlamentin danez më 11 nëntor, ndërsa leximi i dytë dhe votimi janë parashikuar për 19 nëntor.
Marrëveshja ekzekutive do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga Danimarka dhe Groenlanda. Sipas raportimit, për të nuk kërkohet miratimi i Senatit amerikan.

