Kryeministri Edi Rama është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës në Bruksel, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin belg.
Pas takimit, Rama ndau në rrjetet sociale përshtypjet e tij për kreun e NATO-s, duke e cilësuar atë si një njohës të spikatur të Europës, vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe dashamirës të Shqipërisë.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë bisedës kishte marrë vlerësime dhe inkurajime nga Rutte për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si dhe për seriozitetin e vendit në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi në NATO.
“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s”, shkruan Rama.

