Një krim i rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në qytetin Chiari të Italisë, ku 21-vjeçari Eduart Xhani dyshohet se vrau nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, duke e goditur disa herë me thikë. Pas ngjarjes, i riu u largua nga banesa, por disa orë më vonë u paraqit vetë në polici dhe rrëfeu atë që kishte ndodhur.
Xhani shkoi në orët e para të mëngjesit në komandën provinciale të Karabinierëve në Cremona, ku pranoi autorësinë e krimit. Pas dëshmisë së tij, efektivët u drejtuan në banesën ku jetonin nënë e bir, në rrugën Via Tagliata Traversa II, dhe gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares.
21-vjeçari u arrestua nën akuzën e vrasjes me dashje. Ndërkohë, motivi mbetet ende i paqartë dhe hetuesit po përpiqen të zbardhin rrethanat e ngjarjes, përfshirë mundësinë e konflikteve apo tensioneve të mëparshme mes nënës dhe të birit.
Lajmi ka shkaktuar tronditje mes shqiptarëve në zonë, ku familja ishte e njohur dhe e integruar në komunitet. Denis Beqiri, president i Shoqatës Shqiptare në Chiari, është shprehur i tronditur nga ajo që ka ndodhur, duke thënë se nuk kishte asnjë arsye të dyshonte se i riu mund të përfshihej në një ngjarje të tillë.
“Eduarti ishte një shembull për komunitetin. Nuk do ta kishim imagjinuar kurrë një ngjarje të tillë. Ka bërë një veprim të pafalshëm. Nuk arrijmë ta kuptojmë”, është shprehur Beqiri për mediat italiane.
Ai tregoi se e njihte të riun edhe nga afër, pasi Eduarti kishte kryer një praktikë në agjencinë e tij imobiliare, pas përfundimit të studimeve në institutin “Einaudi” në Chiari.
“Ishte shumë i zoti, përdorte pa vështirësi programet CAD, ishte modest dhe i përkushtuar. I kisha dhënë vlerësimin maksimal”, rrëfeu Beqiri.
Më pas, 21-vjeçari kishte punuar me të afërmit në sektorin e ndërtimit dhe më vonë ishte punësuar në një kompani të zonës, ku aktualisht nuk rezultonte më i punësuar. Nëna e tij, Meleqe Lusha, punonte në një kooperativë që administronte shërbimin e mensës në Spitalin Civil të Brescias.
Sipas mediave italiane, nënë e bir jetonin vetëm në banesën ku ndodhi krimi. Meleqe Lusha e kishte rritur të birin me ndihmën e katër vëllezërve të saj. Eduarti ishte rritur pa praninë e babait dhe përshkruhej si një djalë i rezervuar, që frekuentonte shpesh palestrën.
Edhe kryebashkiaku i Chiari-t, Gabriele Zotti, ka shprehur habinë për ngjarjen, duke deklaruar se familja njihej në qytet dhe se nuk kishte pasur shenja që të paralajmëronin ndonjë problem.
“Askush nuk kishte vënë re ndonjëherë diçka që të na bënte të mendonim se kishte probleme”, është shprehur ai.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar plotësisht dinamikën e krimit dhe motivin që çoi në vrasjen e 39-vjeçares.

