Katër shqiptarë janë dënuar me burg në Angli, pasi u përfshinë në një seri vjedhjesh në banesa në Londër, duke shënjestruar kryesisht familjet e komunitetit të Azisë Jugore.
Hetimet e Policisë Metropolitane zbuluan se autorët kishin vjedhur bizhuteri dhe sende luksi me vlerë mijëra paund, ndërsa për identifikimin e tyre shërbyen pamjet e kamerave të sigurisë, gjurmët forenzike dhe të dhënat e udhëtimeve me transportin publik.
Mes të dënuarve janë Çlirim Ferizi, 26 vjeç, dhe Oresti Saliaj, 40 vjeç. Ferizi u dënua me dy vite burg, ndërsa Saliaj me tre vite e gjashtë muaj. Sipas hetimeve, dy shqiptarët kishin kryer disa vjedhje në zona të ndryshme të Londrës, ku mes sendeve të grabitura ishte edhe një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund, bizhuteri floriri dhe një unazë antike.
Një element që ndihmoi hetuesit në zbardhjen e rasteve ishte analiza e kartave Oyster, të përdorura për udhëtimet me transportin publik. Përmes të dhënave dixhitale, policia arriti të rindërtonte lëvizjet e dy personave dhe t’i lidhte ato me vendndodhjet ku ishin kryer vjedhjet. Kamerat e sigurisë kishin dokumentuar gjithashtu lëvizjet e tyre para dhe pas hyrjes në banesa.
Në kuadër të hetimeve për raste të tjera të ngjashme janë dënuar edhe dy shqiptarë të tjerë, Hetaj Dionis, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç, të cilët u përfshinë në vjedhje të banesave në zonën e Hayes. Të dy u dënuan me një total prej pesë vitesh burgim. Ndërkohë, në një hetim të veçantë për një grup kriminal që vepronte në Londër dhe zonat përreth, është dënuar edhe Patrick Doherty, me tre vite e nëntë muaj burg.













