Ish-kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se shërbimet sekrete të regjimit komunist tentuan ta rekrutonin si informator gjatë shërbimit të tij ushtarak, por ai e refuzoi këtë ofertë. Sipas tij, pas këtij refuzimi, ai dhe persona të tjerë të opozitës u vendosën nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga policia sekrete.
Orban publikoi në Facebook një deklaratë, të shoqëruar me dokumente të shërbimeve sekrete që datojnë nga viti 1982 dhe fundi i viteve 1980. Publikimi vjen në prag të hapjes së një baze të dhënash publike, ku do të bëhen të kërkueshme dhjetëra mijëra dosje të policisë së epokës komuniste në Hungari.
“Gjatë pjesës së parë të shërbimit tim ushtarak, ata u përpoqën të më rekrutonin, por unë refuzova, kështu që përpjekja rezultoi e pasuksesshme. Më vonë, unë, gruaja ime dhe anëtarët e tjerë të opozitës u mbajtëm nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Ne të gjithë ishim shënjestra të hetimeve sekrete të partisë shtetërore”, shkroi ai.
Ish-kryeministri pretendoi se dokumentet dëshmojnë se ndaj tij dhe personave të tjerë ishin vendosur informatorë, ndërsa pajisje përgjimi ishin instaluar në vendet e punës, banesat dhe madje edhe në dhomat e gjumit.
Hapja e arkivave, e parashikuar të nisë të mërkurën, është pjesë e një procesi për publikimin e dokumenteve të ruajtura në një kompleks të madh arkivash në Budapest. Përmes platformës online, qytetarët do të mund të kërkojnë informacione mbi informatorët dhe bashkëpunëtorët e ish-shërbimeve të sigurisë shtetërore.
Sipas Reuters, megjithëse regjimi komunist në Hungari mori fund në vitin 1989, dosjet nuk janë hapur plotësisht për publikun për shkak të mungesës së vullnetit politik nga qeveritë e njëpasnjëshme. Deri më tani, përveç studiuesve, qytetarët mund të kërkonin kryesisht dokumentet që lidhen me veten ose me familjarët e tyre të afërt. Me sistemin e ri, qasja në bazën e të dhënave do të jetë e hapur për të gjithë.
Midis viteve 1956 dhe 1989, në Hungari janë regjistruar rreth 55 mijë bashkëpunëtorë të fshehtë. Hapja e arkivave pritet të rikthejë në vëmendje një prej kapitujve më të ndjeshëm të historisë së vendit dhe rolin që individë të ndryshëm kanë pasur në aparatin e survejimit të regjimit komunist.


