António Costa, president i Këshillit Evropian, tha se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina mund të avancojnë më tej drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse përshpejtojnë reformat e kërkuara.
Në një deklaratë të publikuar më 3 nëntor, gjatë Samitit të Euronews për Zgjerimin e BE-së 2026, Costa përsëriti se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen brenda Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
“Jam plotësisht i bindur se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Mendoj se Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mund të përparojnë më tej dhe të shpejtojnë reformat e nevojshme në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Costa.
Ai bëri të ditur se zhvillimet në rajon do të shqyrtohen pas 3 javësh, në samitin e radhës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Pas 3 javësh, në samitin e katërt BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet gjatë mandatit tim, do t’i diskutojmë këto dhe çështje të tjera me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Duke iu referuar zgjerimit, Costa nënvizoi se anëtarësimi nuk kufizohet te përafrimi i ligjeve dhe institucioneve me standardet evropiane. Sipas tij, ai kërkon gjithashtu ndërtimin e besimit, zgjidhjen diplomatike të mosmarrëveshjeve dhe bashkëpunim mes vendeve.
Për Serbinë, ai tha se zgjedhjet e fundit tregojnë synimin e qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe me më shumë përgjegjësi.
Bashkimi Evropian, shtoi Costa, është i gatshëm të ndihmojë qeverinë e re të Serbisë në afrimin e vendit me Evropën, veçanërisht për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit.
Ndërkaq, ai përgëzoi Malin e Zi për ecurinë në negociatat e anëtarësimit dhe tha se vendi po i afrohet përmbylljes së procesit.
Costa shprehu bindjen se Mali i Zi mund të jetë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
Presidenti i Këshillit Evropian e përshkroi zgjerimin si përparësi strategjike për BE-në dhe si investim në paqe, siguri, demokraci e prosperitet.
Ai theksoi se procesi duhet të jetë i drejtë, i qëndrueshëm dhe i mbështetur te meritat, ndërsa vendet kandidate duhet të vijojnë reformat demokratike.
“Nuk mund të përparosh drejt Bashkimit Evropian duke u larguar nga demokracia”, përfundoi Costa.







