Një grup kriminal ndërkombëtar është goditur falë bashkëpunimit dhe punës profesionale të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla.
Në një postim në Facebook, Sfeçla njoftoi se gjatë operacionit u sekuestruan 37 kilogramë heroinë në 62 paketime. Sipas tij, droga ka një vlerë tregu prej mbi gjysmë milioni euro.
Të lidhura
None found
Pesë persona u arrestuan si të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, si edhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sfeçla shkroi se angazhimi për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve do të shtohet, me më shumë vullnet e këmbëngulësi. Ai theksoi se Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të bëhet vend i sigurt për kriminelët apo për veprimtari që rrezikojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve dhe të gjithë qytetarëve.







