Tragjike në Durrës, 48-vjeçari humb jetën në aksident, zhduket shoferi i mjetit
Një aksident tragjik është shënuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure në Durrës, ku një 48-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë pas makinën e përplasur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, në rrugën dytësore të lagjes nr. 13 në Durrës. Sipas të dhënave paraprake, automjeti drejtohej nga një 39-vjeçar me inicialet G. Gj., banues në Kavajë, i cili dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit.
Përplasja me bordurën anësore të rrugës rezultoi fatale për pasagjerin, 48-vjeçarin me inicialet L. L., i cili ndërroi jetë si pasojë e aksidentit.
Por, ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është largimi i drejtuesit të automjetit pas përplasjes. 39-vjeçari është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vendin e aksidentit ka mbërritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në humbjen e jetës së 48-vjeçarit.
Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e drejtuesit të automjetit, i cili u largua pas aksidentit fatal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



