Vendosni fjalën kyçe....

Rama përsërit thirrjen për dialog me studentët, protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij



Kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë të mërkurë thirrjen për dialog drejtuar studentëve, të cilët prej disa javësh protestojnë kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.

Kreu i qeverisë ka publikuar sërish imazhin e tryezës prej guri, mbi të cilën ka vendosur shënimet me mbishkrimin “Dialog”, duke përcjellë mesazhin për gatishmërinë e tij për të zhvilluar bisedime me studentët.

Deri më tani, studentët kanë refuzuar ftesat e kryeministrit, duke deklaruar se kërkesa e tyre kryesore është largimi i Ramës nga detyra.

Protestat vijojnë në Tiranë, ku studentët organizojnë marshime në rrugët e kryeqytetit dhe ndalesa në fakultete të ndryshme, ndërsa u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre t’i bashkohen lëvizjes.

Në protestë janë bashkuar edhe pedagogë, të cilët kanë shprehur mbështetjen për kërkesat e studentëve. Në shenjë kundërshtimi ndaj situatës, një pjesë e studentëve dhe pedagogëve kanë bojkotuar procesin mësimor, ndërsa protestat dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit vijojnë.