Një sulm kibernetik ndaj sistemeve të ftohjes së Qendrës Franceze të Dhurimit të Gjakut (EFS) ka ngritur shqetësime për sigurinë e rezervave të gjakut dhe plazmës që përdoren për trajtimin e pacientëve.
Hakerat arritën të ndërhynin në sistemet e kontrollit të temperaturës, duke ndryshuar parametrat e pajisjeve të ftohjes nga rreth -30 gradë Celsius në 110 gradë Celsius. Sulmi kishte në shënjestër ofruesin e shërbimit të ftohjes, kompaninë Coolworld, sistemet e së cilës janë të lidhura me internetin. Incidenti ndodhi gjatë natës mes 1 dhe 2 nëntorit 2026 dhe preku edhe ambiente të Qendrës Franceze të Dhurimit të Gjakut në rajonin Bourgogne-Franche-Comté. Shqetësimi kryesor lidhej me plazmën e ngrirë, e cila ruhet në temperatura shumë të ulëta dhe përdoret për transfuzionet e pacientëve.
Sipas raportimeve të publikuara nga Cyberattaque, duke iu referuar gazetës franceze Le Canard enchaîné, stafi arriti të zbulonte në kohë ndryshimet e pazakonta të temperaturës. Ministria franceze e Shëndetësisë konfirmoi se incidenti nuk shkaktoi pasoja në funksionimin e shërbimeve dhe se situata u identifikua nga personeli përpara se të sillte pasoja operative. Rasti ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që paraqesin sulmet kibernetike ndaj sistemeve të infrastrukturës kritike, veçanërisht kur ato lidhen me shërbimet shëndetësore dhe ruajtjen e materialeve jetike për pacientët.
