U mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse, zbulohet se e dënuara 50-vjeçare vuan nga një formë e rrallë e kancerit Një emision televiziv në Danimarkë, i cilësuar si një version i vërtetë i filmit “The Truman Show”, ka shkaktuar zemërim të madh te publiku, pasi një komedian u mashtrua për katër muaj rresht nga rreth 150 persona, përfshirë miqtë e tij më të ngushtë, duke e bërë të besonte se po realizonte filmin që kishte ëndërruar prej kohësh.
Bëhet fjalë për komedianin danez Rasmus Walbridge, i cili pranoi një ofertë pune që dukej si një mundësi e jashtëzakonshme për karrierën e tij. Ai besonte se ishte përzgjedhur për të realizuar një projekt të rëndësishëm filmik, ndaj iu përkushtua plotësisht për katër muaj, madje duke qëndruar për periudha të gjata larg partneres dhe fëmijëve të tij.
Por ajo që Walbridge mendonte se ishte një prodhim i vërtetë filmi, rezultoi të ishte një mashtrim i organizuar nga televizioni danez TV 2, në kuadër të programit “Everyone Loves Rasmus”.
Sipas British Mirror, në këtë projekt me kamera të fshehta u përfshinë gjithsej 149 persona, mes tyre miq, të njohur, aktorë dhe profesionistë të industrisë televizive. Të gjithë kishin marrë përsipër të ruanin sekretin dhe të luanin rolet e tyre, në mënyrë që komediani të mos dyshonte për asgjë.
Rasti u krahasua menjëherë me filmin e vitit 1998 “The Truman Show”, ku personazhi kryesor, i luajtur nga Jim Carrey, jeton pa e ditur në një botë artificiale, ku familjarët, miqtë dhe fqinjët e tij janë aktorë dhe çdo moment i jetës së tij transmetohet për publikun.
Reagimet e publikut dhe akuzat për manipulim psikologjik
Zemërimi shpërtheu kur emisioni nisi të transmetohej. Shumë shikues e konsideruan formatin përtej kufijve të një shakaje televizive, duke argumentuar se mashtrimi kishte zgjatur për muaj të tërë dhe kishte ndikuar drejtpërdrejt në jetën personale dhe familjare të komedianit.
Në rrjetet sociale, përdorues të shumtë kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të programit, ndërsa disa e cilësuan atë si një formë ngacmimi dhe manipulimi psikologjik.
Reagime të veçanta shkaktoi fakti se Walbridge kishte një fëmijë të porsalindur dhe kishte lënë mënjanë një pjesë të jetës familjare për t’iu përkushtuar projektit që besonte se ishte real.
Përballë kritikave, regjisori i programit fillimisht mbrojti konceptin, duke deklaruar se ishin marrë masa për të shmangur dëmtimin psikologjik të komedianit. Sipas tij, një psikolog kishte monitoruar zhvillimin e projektit gjatë gjithë katër muajve, ndërsa Walbridge kishte marrë mbështetje edhe pasi ishte informuar për të vërtetën.
Nga ana tjetër, drejtuesit e prodhimit pretenduan se komediani kishte pasur mundësinë të refuzonte publikimin e pamjeve televizive pasi mësoi se gjithçka kishte qenë një mashtrim.
Megjithatë, këto argumente nuk arritën të qetësonin publikun. Sipas medias britanike, Walbridge nuk e priti mirë zbulimin dhe është tërhequr nga vëmendja publike pas kësaj ngjarjeje.
Pas valës së kritikave, televizioni danez TV 2 vendosi ta tërhiqte “Everyone Loves Rasmus” nga transmetimi dhe nga platforma e tij online.
Më 31 tetor 2026, drejtuesit e televizionit kërkuan zyrtarisht falje ndaj Rasmus Walbridge dhe personave të përfshirë, duke pranuar se produksioni nuk kishte arritur ta mbronte në mënyrë të mjaftueshme komedianin dhe se situata nuk duhej të kishte shkuar deri në atë pikë.
Top Channel