Sulmi kibernetik po bëhet edhe më i rrezikshëm, hakerat ndërhyjnë në Bankën e Gjakut, tentojnë të çojnë temperaturën e frigoriferëve në 110 gradë Celsius Avokatët e Christa Pike kishin paralajmëruar autoritetet amerikane për rreziqet serioze shëndetësore që mund të sillte ekzekutimi i saj me injeksion vdekjeprurës, nëntë muaj përpara se ekzekutimi në shtetin e Tennessee-t të dështonte.
Sipas dokumenteve gjyqësore, të siguruara nga revista “People”, Pike vuan nga një çrregullim i rrallë i gjakut, i lidhur me një formë kanceri të njohur si çrregullim mieloproliferativ.
Në një ankesë të paraqitur më 8 janar 2026, avokatët e saj argumentuan se ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës mund t’i shkaktonte asaj dhimbje dhe vuajtje të panevojshme, duke pretenduar se kjo do të përbënte shkelje të Amendamenteve të Parë, të Tetë dhe të Katërmbëdhjetë të Kushtetutës amerikane.
Sipas dokumentit, numri i trombociteve në gjakun e Pike ishte dukshëm i rritur, me shumë gjasë si pasojë e sëmundjes së rrallë të gjakut. Avokatët paralajmëruan se kjo gjendje, e njohur si trombocitozë, mund të rriste rrezikun e zhvillimit të edemës pulmonare gjatë injektimit të substancave vdekjeprurëse. Bëhet fjalë për grumbullimin e lëngjeve në mushkëri, një gjendje që mund të shkaktojë ndjesinë e mbytjes.
Në ankesën drejtuar gjykatës, avokatët theksuan se edema pulmonare mund të shkaktojë një ndjesi mbytjeje ose fundosjeje, të cilën ekspertët e kanë krahasuar me atë që përjetohet gjatë torturës me ujë. Ata ngritën shqetësime edhe për gjendjen e venave të saj. Sipas dokumenteve, Pike kishte një histori vështirësish gjatë marrjes së gjakut dhe vendosjes së gjilpërave. Për këtë arsye, personeli mjekësor i burgut përdorte gjilpëra speciale të tipit flutur për t’i marrë gjak.
Avokatët kërkuan që e njëjta metodë të përdorej edhe gjatë procedurës së ekzekutimit, duke argumentuar se kjo do të reduktonte ndjeshëm rrezikun e dhimbjeve të panevojshme. Shqetësimet e ngritura nga mbrojtja duket se morën rëndësi të veçantë më 30 shtator, kur ekipi i ekzekutimit hasi vështirësi në vendosjen e linjave intravenoze për administrimin e substancave vdekjeprurëse.
Pike i mbijetoi dy raundeve të administrimit të barnave për ekzekutim. Pas incidentit, ajo u shtrua në spital për 10 ditë dhe më pas u rikthye në Qendrën e Rehabilitimit Debra K. Johnson, në Tennessee, ku kalon pjesën më të madhe të ditës në izolim. Avokatët e saj kanë paraqitur një kërkesë urgjente në gjykatë për t’i dhënë fund izolimit, ndërsa pritet që të dyja palët të paraqesin argumentet e tyre gjatë kësaj jave.
Në ankesën e mëparshme, mbrojtja kishte kundërshtuar gjithashtu protokollin e përditësuar të ekzekutimeve në Tennessee, duke kritikuar faktin se ai nuk garantonte akses të menjëhershëm telefonik për avokatët para dhe gjatë procedurës. Sipas tyre, një mundësi e tillë ishte thelbësore për të kontaktuar gjykatat në rast se gjatë ekzekutimit do të lindnin probleme.
E ardhmja e Christa Pike mbetet e pasigurt. Guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, ka pezulluar ekzekutimet e tjera të planifikuara në shtet për vitin 2026 dhe ka urdhëruar një hetim të pavarur për të zbardhur dështimin e ekzekutimit.
Christa Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen në vitin 1995 të 19-vjeçares Colleen Slemmer. Në atë kohë, Pike ishte 18 vjeçe. Së bashku me të dashurin e saj të asaj kohe, ajo torturoi të renë përpara se ta vriste me një thikë prerëse të tipit box cutter.
Rasti i saj ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatet mbi mënyrën e ekzekutimit të të dënuarve me vdekje në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për sigurinë, vuajtjet e mundshme dhe përgjegjësinë e autoriteteve gjatë procedurave të tilla.
Top Channel